Botë

Mediat gjermane për vizitën e Merkelit në Ballkan: Ka korrupsion dhe qeveri autoritare

08.07.2015 15:02

Vizita e kancelares, Angela Merkel, në Ballkan po ndiqet me vëmendje edhe nga mediat gjermane...

Papunësia e lartë, korrupsioni i gjerë dhe elitat autoritare politike janë disa nga gjërat e përbashkëta të Serbisë, Bosnje-Hercegovinës dhe Shqipërisë,- shkruan “Deutsche Welle”, - e cila kujton se si sondazhet tregojnë që joshja për Bashkimin Evropian në këto vende ka nisur të zbehet.

Arsyet kryesore janë paralajmërimet e Brukselit se në 5 vitet e ardhshme nuk do të ketë anëtarësime të reja në BE.

Për shkak të krizës aktuale në Greqi, i gjithë rajoni i Ballkanit mund të shndërrohet në një zonë “të trazuar” për investime dhe duket se kancelarja gjermane synon, nëpërmjet këtij rrugëtimi, ta zbusë një përshtypje të tillë.

Sipas vëzhguesve, në krahasim me Bosnjë-Hercegovinën dhe Serbinë, të cilat kanë me BE-në probleme të vjetra e të reja, në Tiranë Merkel do ta ketë më të lehtë. Nga këndvështrimi i Perëndimit, Shqipëria “është një faktor stabiliteti në Ballkan”, thonë analistë të njohur gjermanë.

Ata presin që Merkel të kërkojë në mënyrë diskrete nga kryeministri, Edi Rama, që të mos deklarohet më për "Shqipërinë e Madhe" dhe projektet e ngjashme nacionaliste, të cilat përfshijnë Shqipërinë, Kosovën dhe disa pjesë të Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Greqisë.