Botë
“Tërbohet” moti në Evropë, zjarre në Spanjë, stuhi në Poloni e Gjermani
08.07.2015 15:23
Një 42 vjeçar ka vdekur në Poloni si pasojë e motit të keq. Ai humbi jetën kur mbi makinën e tij stuhia rrëzoi një pemë...

40 mijë shtëpi mbetën pa energji elektrike në të gjithë Poloninë. Trenat ndryshuan oraret për shkak të mungesës së energjisë dhe rrëzimit të drunjve mbi shina.
Edhe Gjermania po përballet me tornado. Pas një jave me temperatura të larta, madje më të lartat në 12 vitet e fundit, Gjermania sot është zgjuar nën kërcënimin e një tornadoje. Dëshmitarët tregojnë për çatitë e shtëpive dhe pemët që fluturonin gjithandej, por për fat të mirë nuk ka viktima apo të lënduar. 1700 shtëpi janë pa energji elektrike.
Derisa Gjermania e Polonia sot i janë kthyer stinës së vjeshtës me stuhi të fuqishme dhe temperatura të ulëta për të paktën 15 gradë, Spanja ende vazhdon të përballet me të nxehtin përvëlues.
Parku kombëtar në Kazartola është përfshirë nga zjarri. Një tjetër vatër po përhapet rrezikshëm shumë pranë Guadalaharës.
Zjarri tjetër në Montarron ka detyruar 150 njerëz të braktisin shtëpitë e tyre.
Vetëm në Guadalahara deri tani janë djegur rreth 700 hektarë pyje.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
