“E mërkura e zezë” e bursës në Pekin, 90% e tregut pezullon aktivitetin
Bursat e aksioneve në Kinë janë në rënie të lirë, e situata dramatike në tregje nuk po arrin të stabilizohet, pavarësisht përpjekjeve të rregullatorëve për të frenuar humbjet...

Indeksi “Composite” i Shangait ra me 8% që në hapje, duke shkaktuar një tkurrje të vlerës së aksioneve me 30%, krahasuar me pikun e muajit qershor.
500 firma të listuara deklaruan ndalimin e shkëmbimeve, si masë paraprake për t’u mbrojtur prej tërmetit në tregjet kineze. Ekonomistët e cilësuan ditën e sotme si “e mërkura e zezë”.
Tre trilionë dollarë llogaritet të jenë fshirë nga luhatjet e frikshme në bursën e Shangait e atë të Shenzenit. Në Azi, sot thonë: harrojeni tragjedinë greke, se deri të dielën e ka pushim, dhe në krahasim me atë çfarë mund t’i ndodhë Kinës, do të ishte thjesht një komedi.
Dikush guxon ta krahasojë krizën aktuale me atë të vitit 1929, ngërçi historik i “Wall Street”-it, që për vite të tëra dëmtoi edhe ekonominë reale të Shteteve të Bashkuara.
Paniku që ka përfshirë bursat kineze rrezikon ta vërë Partinë Komuniste kineze përballë një krize të besueshmërisë e të hedhë hije dyshimi mbi paktin e saj të madh me popullin, të cilit i është premtuar rritje ekonomike e mirëqenie në këmbim të lëshimit të dorës në lëvizjet politiko-ekonomike.
