Maqedoni

MPB: Konfirmohet arrestimi i Sulejman Osmanit, padi penale për 5 gjykatës dhe 4 mjekë

08.07.2015 16:31

MPB ka konfirmuar sot arrestimin e Sulejman Osmanit nga fshati Brezë...

MPB ka konfirmuar sot arrestimin e Sulejman Osmanit nga fshati Brezë, i dyshuar për pjesëmarrje në ngjarjet në Kumanovë në maj të këtij viti, i cili i iku policisë pas tregimit të vendit ku janë fshehur armët.
 
Informata ka ardhur nga Policia e Kosovës, thonë nga MPB, sipas të cilëve mbrëmë në fshatin Letincë të Vitisë është arrestuar 55 vjeçari i shumëkërkuar.
 
Sipas Policisë në Kosovë, në shtëpinë e Osmanit është gjetur një pjesë e armëve të vjedhura gjatë sulmit të karaullës në Goshincë. MPB është e interesuar të përfundojë sa më shpejt procedura për ekstradim.
 
“Deri në këtë moment nuk më është konfirmuar se a është informuar formalisht Ministria e Drejtësisë, por besoj që në afat të shkurtër kohor kjo do të ndodhë dhe  presim që sa më shpejt autoritetet kosovare të deklarohen për kërkesën dhe të merremi vesh për kohën dhe mënyrën për ekstradimin e të dyshuarit”- deklaroi Ivo Kotevski nga MPB.
 
Ndërkohë, MPB ka njoftuar sot se deri te Prokuroria Themelore Publike në Prilep ka dorëzuar padi penale për 8 persona nga Prilepi dhe Manastiri dhe një personi në Tetovë për dyshim se të njëjtët janë kryerës të veprës penale “keqpërdorim të  pozitës zyrtare, autorizim dhe ndihmë për kryerje të veprës penale”.
 
Pesë janë gjykatës në Prilep, tre janë të punësuar në Spitalin Psikiatrik “Demir Hisar” dhe një udhëheqës i burgut në Idrizovë të Shkupit. 
 
“Në procedurën e mëtejshme penale besoj dhe presim se do të zbardhim motivet  për kryerjen e veprave penale për keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe autorizimit”- tha Ivo Kotevski nga MPB.
 
Të njëjtit përmes dokumentacionit të rrejshëm mjekësor i kanë mundësuar të akuzuarit, të dënuar me 10 vjet e 7 muaj burg, për veprat vrasje” dhe “mashtrim” të lirohet nga ky dënim. I akuzuari është liruar nga dënimi pa pëlqimin e shërbimit shëndetësor të burgut në Idrizovë.
 
FLUTURA LATIFI