Botë

Dështon Samiti i Eurozonës për Greqinë, Tsipras: BE të respektojë zgjedhjen e popullit grek

08.07.2015 17:08

Në Bruksel përfundoi pa asnjë rezultat Samiti i jashtëzakonshëm me dyer të mbyllura i liderëve të Eurozonës...

Në Bruksel përfundoi pa asnjë rezultat Samiti i jashtëzakonshëm me dyer të mbyllura i liderëve të Eurozonës, por i njëjti pritet të pasohet me një tjetër, të dielën, kur do të jetë edhe dita finale për Greqinë.
 
Presidenti i Këshillit të Evropës, Donald Tusk, kërkoi me urgjencë gjetjen e një marrëveshjeje dhe kërkoi nga pala greke që të paraqesë propozimet e saj sa më shpejt që të jetë e mundur.
 
“Nëse kjo nuk do të ndodhë, do të vijë fundi i bisedimeve dhe pasojat dihen. Të gjithë dalin humbës nëse s’ka një marrëveshje. Pasoja do të ketë edhe mbi BE-në, por pjesa më e rëndë e tyre do të bjerë mbi Greqinë, ndaj është me rëndësi një marrëveshje urgjente”- deklaroi presidenti i Këshillit të Evropës, Donald Tusk.
 
Kreu i KE-së, Junker, tha se po bëhet e pamundura për të gjetur një zgjidhje me Greqinë, dhe se e respekton zgjedhjen e popullit grek, por, sipas tij, duhet marrë parasysh edhe interesi i 18 vendeve të tjera të monedhës së përbashkët.
 
“Komisioni dëshiron dhe po bën të pamundurën për të gjetur një marrëveshje, duke marrë parasysh që Eurozona nuk përbëhet nga një demokraci e vetme, por nga 19 të tilla. Një demokraci nuk është më e vlefshme se të tjerat. Natyrisht, duhet të shikojmë në interes të të gjithë Eurozonës, të respektojmë zgjedhjen që njerëzit kanë bërë, por edhe të 18 demokracive të tjera”- tha presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.
 
Por, kryeministri grek, Aleksis Tsipras, këmbënguli para eurodeputetëve se vota “jo” në referendumin e së dielës nuk ishte vota kundër Evropës, por një mesazh për ngritjen e një respekti të plotë mes BE-së dhe Greqisë.  
 
“Referendumi nuk ishte kundër BE-së, nuk ishte kundër bisedimeve, por ishte një mesazh i qartë dhe i sinqertë se në bisedimet tona duhet të ekzistojë respekti i plotë. BE duhet të respektojë zgjedhjen demokratike që ka bërë populli grek. Ne duam t’u rikthehemi negociatave për këtë”- u shpreh kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras.
 
Deri të enjten, Qeveria e Athinës duhet të paraqesë propozimet e saj të reja, te cilat nuk i solli mbrëmë, ndërsa të dielën Samiti do të jetë i një formati më të zgjeruar, ku do të marrin pjesë krerët e 28 vendeve anëtare të BE-së.
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU