Vrasja e turistëve çekë, arrest me burg për Sokol Mjacajn
Nën masa tepër të forta sigurie, me antiplumb e maskë në kokë dhe i braktisur nga familjarët...

Nën masa tepër të forta sigurie, me antiplumb e maskë në kokë dhe i braktisur nga familjarët, është paraqitur për të marrë masën e sigurisë para Gjykatës së Shkallës së Parë në Shkodër, Sokol Mjacaj, autori i vrasjes së dy turistëve çekë.
Pas një seancë që ka zgjatur rreth një orë e gjysmë, gjykata i ka dhënë Sokol Mjacajt masën e sigurisë arrest me burg.
I gjithë procesi gjyqësor është zhvilluar nën prezencën e forcave të shumta të policisë dhe atyre të Ndërhyrjes së shpejtë.
Seanca gjyqësore është mbajtur me dyer të mbyllura, por mësohet se Sokol Mjacaj ka pranuar krimin duke i qëndruar atyre çfarë ka thënë në polici.
Sokol Mjacaj, i braktisur nga familjarët nuk kishte as avokat mbrojtës dhe për këtë është mbrojtur nga një avokat i caktuar nga gjykata.
Mjacaj nuk shfaqur asnjë shenjë pendese. Pesë ditë më parë Sokol Mjacaj gjatë një tentative grabitje vrau dy turistë çekë Michal Svatos dhe Anna Kusinova që udhëtonin me makinën e tyre në fshatin Prekal, të Dukagjinit.
