Maqedoni

Kuvend, fillon debati rreth “Raportit të Pribesë”

08.07.2015 17:32

Kuvendi filloi debatin rreth rekomandimeve nga Raporti i grupit të ekspertëve të lartë për çështje sistemore, të kryesuar nga Rejnhard Pribe...

Komisioni për punë dhe politikë sociale dhe Komisioni për çështje ekonomike, janë dy trupa parlamentare të cilët të parët hapën debatin rreth këtij Raporti dhe Listën e prioriteteve urgjente të reformave të cilat rrjedhin nga rekomandimet në raportin e grupit.
 
Komisioni për punë dhe politikë sociale u koncentrua në vërejtjet rreth departizimit të administratës përmes punësimit dhe avancimit të kuadrove profesional pa ndikime politike.
 
Deputetët e opozitës akuzuan VMRO-në për situatën në funksionimin e institucioneve të konstatuar nga ekspertët evropianë.
 
“Ju jeni fajtorë për gjendjen për të cilën tani po debatojmë, pas sugjerimeve nga BE, përkatësisht Komisioni Evropian”- tha deputetja e pavarur, Ljubica Buralieva.
 
Sipas kryesuesit me Komisionin për punë dhe politikë sociale, Bllagoja Despotovski, gjendja në administratë do të ndryshojë me zbatimin e Ligjit të ri për administratë publike.
 
“Do të zgjidhen kuadrot më kompetentë, më të aftë, më të arsimuarit dhe kjo është mirë. Do ishte edhe më mirë po të kishte ndodhë më herët, por është fakt se ne jemi në këtë situatë që jemi dhe është mirë që tani e tutje të përmirësohemi”- tha kryesuesi me KPPS-në, Bllagoja Despotovski.
 
Ndërkaq, deputetja, Roza Karevska, kërkoi nga ky Komision që të kërkojë zgjidhje për kategorinë e rasteve sociale që të mos mund të keqpërdoren nga qeveria për nevoja politike, e cila u premton shlyerje të borxheve para zgjedhjeve, duke i korruptuar kështu për t’u marrë votën.  
 
“Ky Komision pikërisht për këtë duhet të diskutojë. Si t’u ndihmohet këtyre qytetarëve, në afat të gjatë të mos jenë të varur nga mëshira e asnjë qeverie, asnjë ministër të financave ose kryeministër, por vetë të mund të sigurojnë të ardhmen dhe të mos jenë të detyruar ta falin votën për t’ua shlyer borxhet”- theksoi Roza Topuzova Karevska nga PLD.
 
Ndërkaq, Komisioni Parlamentar për çështje ekonomike shqyrtoi vërejtjet dhe rekomandimet e grupit të ekspertëve në raport me mbikëqyrjen e punës së dy komisioneve të pavarura të formuara nga Kuvendi i RM-së, përkatësisht Komisioni për mbrojtje nga konkurrenca dhe Komisioni rregullator për energjetikë.
 
“Raporti i Pribesë” do të shqyrtohet nesër edhe nga Komisioni për financim dhe buxhet, ai për çështje të zgjedhjeve dhe emërimet, Komisioni për sistem politik dhe marrëdhënie midis bashkësive dhe Komisioni për transport, lidhje dhe ekologji.
 
SHPËTIM NUREDINI