Maqedoni

Ekspertët për vizitën e Merkelit: Mesazh Shkupit se është në rrugë të gabuar

08.07.2015 17:37

Vizita e kancelares gjermane, Merkel, është një vizitë gjeopolitike dhe përcjell mesazhe për politikë dhe ekonomi në vendet e Ballkanit, thonë analistët politik...

Por, anashkalimi i Maqedonisë nga turi i Merkelit është një sinjal qoftë edhe indirekt për politikbërësit në Maqedoni, se duhet të mendojnë më shumë pasi politika në vend shpesh nuk i ka respektuar rekomandimet dhe obligimet e ndërkombëtarëve, vlerësojnë analistët. 
 
“Gjermania me një mënyrë do ta inkurajojë rajonin sa i përket reformave në politikë, gjyqësor, luftën kundër korrupsionit dhe në largimin e politikanëve të cilët me dekada kanë shkaktuar problem. Në këtë kontest do ta shikoja edhe anashkalimin e vizitës së kancelares që ia bëri Shkupit zyrtar. Jemi pikërisht në muajt e fundit kur qeveria aktuale e Gruevskit e ka dëshpëruar tej mase Gjermaninë dhe në njëfarë mënyre kjo është një mesazh që i dërgohet Shkupit zyrtar për keqbërjen në politikë dhe rrugën e gabuar”- deklaroi publicisti, Emin Azemi.
 
“Tani jemi të gjithë dëshmitarë se që nga viti 2012 Gjermani po luan rol të rëndësishëm dhe ka marrë aktorin më të rëndësishëm në  zgjidhjet e çështjeve ballkanike dhe me këtë vizitë të Merkelit shihet qartë anashkalimi i Maqedonisë, duke marrë parasysh se Maqedonia ka probleme të brendshme dhe nuk po respekton obligimet ndërkombëtare”- tha analisti politik, Ylber Sela.
 
Vizita e kancelares Merkel në Shqipëri, sipas analistëve, nxjerr në pah efektin dominant që kohëve të fundit ka Shqipëria në rajon dhe  kjo forcon jo vetëm shqiptarët e Shqipërisë, por edhe të rajonit.
 
Kjo është dëshmuar edhe me marrëveshjet që ka nënshkruar kohëve të fundit Gjermania me Shqipërinë, vlerësojnë ekspertët.
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU