Botë
Merkel: mbështesim integrimin e Shqipërisë në BE; Rama:integrimi i Ballkanit, nevojë edhe e BE-së
08.07.2015 17:49
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, zhvilloi vizitën e parë zyrtare në Shqipëri, në kuadër të turit Ballkanik. Merkel potencoi se Shqipëria e ka vendin në BE...

Zërat se BE po ngadalëson procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor, sipas MerkelIT, janë të pavërteta, sepse janë prioritetet e kërkuara nga BE ato që bëjnë të mundur hapjen e negociatave.
“Në fakt nuk jemi duke përcaktuar afate të qarta në këtë proces, ajo që na e përcakton ritmin është përmbushja e standardeve. Duhet hartuar një plan i caktuar masash dhe veprimesh, ka prioritete të caktuara që nuk i vendos unë, por Komision Evropian. Më lejoni të përmend prioritetin e reformës së drejtësisë, janë bërë progrese, por nuk është realizuar në mënyrë të plotë. Unë di tanimë që shumë vende presin që ky proces të shkojë para. Do doja t’ju siguroja që ky nuk është proces që ne e ngadalësojmë në mënyrë artificiale, ne duam anëtarësimin e vendit tuaj”- deklaroi kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel.
Kryeministri Rama ka nënvizuar se Ballkani ka nevojë për Evropën, po aq sa Evropa ka nevojë për Ballkanin.
Ne synojnë të gjithë aderimin në BE, por edhe Evropa duhet të bëjë pjesën e saj, duke mos e trajtuar integrimin tonë si një biznes.
“Duke mbështetur atë që shpjegoi kancelarja, duke pasur në tryezën e punës listën e kërkesave, ne kemi marrë një zotim dhe do ta mbajmë, që në fund të vjeshtës do t’i plotësojmë të gjitha përfshirë edhe paketën e reformës në drejtësi, që i kaloi parlamentit për miratim. Në atë moment na ka lindur e drejta që të kërkojmë një datë për të filluar negociatat për anëtarësim në BE. Ky është një proces që në radhë të parë vlerën e ka këtu dhe e ka për ne. Gjithçka po bëjmë, nuk janë detyra që na i kërkojnë në Bruksel”- tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Nga Tirana u dha edhe mesazhi i bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve që duhet ngritur në një tjetër nivel.
Kancelarja Merkel ka thënë se përmes bashkëpunimit, Shqipëria ka mundësinë të përfitojë nga ekspertizat më të mira për reformën në drejtësi, luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Rama ka kërkuar mbështetje ekonomike për të lehtësuar problemin social të atyre që vendosin të kërkojnë azil në Gjermani.
“Shqipëria bën pjesë tek ato vende që mund të ofrojnë fuqi punëtore të kualifikuar e jo azilantë", është përgjigjur Merkel.
Një tjetër pikë ku Merkel është përqendruar ka qenë edhe bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit, aspekt në të cilin, sipas saj, është bërë progres me vizitën e kryeministrit Vuçiç në Tiranë dhe atë të kryeministrit Rama në Beograd.
SANIJE KASAMI
