Maqedoni

Kriza politike, Zaev: Bisedimet të pasuksesshme, vazhdojmë me “bombat”

08.07.2015 18:31

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, bisedimet e liderëve i shpall si të pasuksesshme dhe paralajmëron vazhdimin e publikimit të “bombave”...

Zaev për mossukses të bisedimeve fajëson kryeministrin, Nikolla Gruevski, i cili, sipas tij, refuzon kthimin e normalitetit në shtet, si dhe minimizon marrëveshjen e arritur më dy qershor, duke u nisur gjithmonë nga interesat e tij personale.
 
“Bisedimet janë të pasuksesshme. Nikolla Gruevski në vazhdimësi minimizon marrëveshjen e arritur të dy qershorit. Në bisedime Nikolla Gruevski refuzoi të pranojë garanci për kthimin e institucioneve demokratike, për normalizimin e shtetit, për sigurimin e kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve fer dhe demokratike. Do të vazhdojmë të veprojmë në mënyrë intensive, duke i shfrytëzuar të gjitha masat demokratike deri në rrëzimin e këtij regjimi. Projekti “E vërteta për Maqedoninë” vazhdon”- deklaroi lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
Për hapat konkret të veprimit të mëtejmë, LSDM do të konsultohet me qytetarët e vendit. I pyetur se a mund të priten zgjedhje në prill të vitit të ardhshëm, Zaev tha se zgjedhje nuk mund të realizojë një qeveri në krye me Nikolla Gruevskin. Por, nuk përjashtoi mundësinë që të rishikohen propozimet e faktorit ndërkombëtar.
 
“Nëse komuniteti ndërkombëtar, pa marrë parasysh se a është ajo zonja Nulland, komesari Hahn, japin propozim konkret ku do të përmbushen kushtet, ato janë ndarje të përgjegjësive midis pushtetit dhe opozitës për kthimin e institucioneve demokratike dhe sigurimin e zgjedhjeve fer dhe demokratike, kuptohet se ato propozime mund të rishikohen”- tha lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
Zaev nuk pret nga Gruevski të japë ndonjë propozim ditëve në vijim për dalje nga kriza. 
 
Ndërkohë, kryeministri gjatë ditës është distancuar nga çdo deklaratë publike mbi procesin negociues.
 
“Ditëve në vijim do të përmbahesha nga deklarata dhe përgjigje të pyetjeve që kanë të bëjnë me komunikimin me partitë për tejkalimin e krizës politike, me qëllim që të mos dëmtoj bisedimet dhe mos të keqkuptohem dhe keqinterpretohem”- tha kryeministri, Nikolla Gruevski.
 
As Zaev nuk dha detaje mbi bisedën e takimeve, por tha se midis tjerash është kërkuar që edhe LSDM-ja të jetë garantues i zgjedhjeve fer dhe demokratike.
 
MERAL ISMAILI