Siguria energjetike në rajon, Neziri: Duhet kyçje në iniciativat globale

09.07.2015 12:35

Siguria e furnizimit energjetik, diversifikimi i burimeve energjetike dhe zvogëlimi i varshmërisë me furnizimin me energji përmes bashkëpunimit të afërt me vendet e rajonit u diskutuan në takimin që Ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri, realizoi me ndihmëszëvendësin kryesor të sekretarit shtetëror të Byrosë për Resurse Energjetike të SHBA-ve, Meri Vorlnik...

Në këtë takim theks i veçantë iu vu edhe procesit të bashkëpunimit të vendeve të Evropës Qendrore dhe  Juglindore në sferën e ndërlidhjes së gazit, si dhe zgjerimit të rrjetit distibutiv, Ligjit të energjetikës dhe shfrytëzimit të burimeve rinovuese të energjisë.

Neziri informoi rreth procesit të harmonizimit të rregullativës energjetike në krijimin e politikave nacionale në energjetikë, duke vërtetuar përkrahjen nga Brukseli për projektet me interes të përbashkët të cilat paraqesin ndërlidhje rajonale sikurse largpërçuesi Manastir–Elbasan.

Temë e interesit ishte procesi i dhënies nën koncesion dhe ndërtimi i hidrocentraleve të vogla, si dhe potenciali dhe masat për stimulimin e burimeve tjera rinovuese të energjisë në Republikën e Maqedonisë.

Në sferën e gazifikimit, ministri Neziri informoi për zhvillimin e rrjetit distibutiv të gazit në çdo rajon, si dhe të sistemit magjistral të gazsjellësit, me ç’rast theksoi se procesi i gazifikimit me qëllim të hapjes së tregjeve të energjensave dhe sigurimit të çmimeve të pranueshme për konsumatorët do të jetë në mënyrë të plotë e harmonizuar me planet, iniciativat dhe politikat energjetike në Evropë dhe ShBA.