Botë
Parlamenti Evropian, rezolutë që dënon gjenocidin serb në Srebrenicë
09.07.2015 15:08
Mijëra njerëz në Saraevë kanë nderuar 136 arkivolet që janë nisur për në Srebrenicë, të cilat bartnin viktimat e fundit të identifikuara të masakrës së Srebrenicës...

Ata do të varrosen në përvjetorin e 20-të të masakrës. Kamioni, i cili po barte arkivolet, është ndalur para presidencës së Bosnjës, ku me lot në sy u pritën nga nënat, motrat dhe gratë e viktimave.
Ndërkohë, Parlamenti Evropian gjatë seancës së sotme plenare në Strasburg miratoi një rezolutë që dënon fuqishëm gjenocidin e kryer nga forcat serbe në Srebrenicë nën komandën e gjeneralit, Ratko Mlladiq, dhe njësitë paramilitare.
Teksti i rezolutës përmban edhe dy ndryshime: dënon veton e përdorur nga Rusia kundër Rezolutës britanike për Srebrenicë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, si dhe përshëndet vendimin që 11 korriku të shpallet ditë zie në Bosnjë-Hercegovinë në kujtim të viktimave.
Parlamenti Evropian ka dënuar masakrimin e tetëmijë burrave dhe djemve myslimanë dhe theksoi se vetëm përmes njohjes së krimit mund të vijë deri tek paqja e vërtetë në Ballkan. Rezoluta për Srebrenicën është futur në rendin e ditës pas propozimit të deputetes kroate, Ivana Jakovcicad.
Ndërsa edhe Kongresi amerikan pritet që të votojë një rezolutë të tillë gjatë ditës së nesërme.
Ndërsa ish presidenti, Bill Klinton, do të udhëheqë delegacionin e ShBA-ve në ceremoninë përkujtimore të 20 vjetorit të masakrës së Srebrenicës, që do të shënohet këtë fundjavë.
Masakra e Srebrenicës ka ndodhur më 11 korrik të vitit 1995, kur trupat serbe të Bosnjës dhe paramilitarët serbë vranë afro 8 mijë burra dhe djem myslimanë në masakrën, që nga gjykatat ndërkombëtare cilësohet si gjenocid. Deri më tani rreth 7,000 mijë viktima janë zhvarrosur nga 93 varre masive.
GYLTENE SINANI
