Maqedoni
Ohri dhe Struga pushtohen nga fluturat
09.07.2015 15:44
Dy ditët e fundit, Ohri është pushtuar jo nga turistët, por nga fluturat e bardha...

Në orët e mbrëmjes fluturat i mbulojnë dritat dhe objektet përreth, por janë prezente edhe në lagjet periferike. Deri te institucionet kompetente mbërrijnë ankesat e përditshme të qytetarëve, ndërsa te institucionet shëndetësore pacientët janë ankuar nga alergji të shkaktuara nga ky insekt.
“Në ambulancat tona kemi edhe nga disa raste, por kemi informata se shumica e rasteve më të rënda përfundojnë në repartin intern. Kemi të dhëna se ka pasur dhjetëra raste më të rënda, dy prej të cilave kanë përfunduar me urtikari të plotë dhe kanë pranuar infuzion. Vërtetë ata që janë alergjikë mund të marrin kartelë të rëndë klinike me rezultat të padëshiruar dhe ato nuk janë të parrezikshme siç duken në pamje të parë”- deklaroi mjekja, Violeta Mickoska.
Të brengosur nga numri i rritur i këtyre fluturave janë edhe autoritetet e qytetit të Ohrit.
“Është e qartë se në 2-3 ditët e fundit është rritur numri i insekteve në Ohër, më saktë numri i fluturave. Kjo paraqet një problem për zgjidhjen e të cilit duhet të kyçen të gjitha institucionet relevante. Shumë i rëndësishëm është edhe procesi i dezinfektimit që ai të jetë i sigurt për ambientin, njerëzit dhe të gjitha gjallesat tjera”- tha kryetari i Ohrit, Nikolla Bakraçeski.
Sipas biologëve, bëhet fjalë për llojin e fluturave “Euproktis Krisoroea” që ekziston në Maqedoni. Me siguri, këtë vit ky lloj i fluturave është shtuar së tepërmi.
Prej mbrëmë flutura të tilla janë paraqitur edhe në pjesën e Strugës dhe rrethinës. Sipas paralajmërimeve, Qendra e Shëndetit Publik në Ohër, në 4 ditët në vijim do të fillojë me dezinfektim.
SANIJE KASAMI
