Botë

Merkel në Beograd, inkurajon Serbinë për bashkëpunim rajonal

09.07.2015 16:20

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka qëndruar sot në Beograd, ku ka udhëtuar pas vizitës së djeshme në Tiranë. Merkel, e cila u prit nga kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç...

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka qëndruar sot në Beograd, ku ka udhëtuar pas vizitës së djeshme në Tiranë. Merkel, e cila u prit nga kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka lavdëruar politikën e Serbisë, reformat ekonomike, por edhe bashkëpunimin në rajon, përfshi edhe progresin në marrëdhëniet me Kosovën dhe takimet Vuçiç-Rama në Beograd dhe Tiranë.
 
“Sa i përket Kosovës, Serbia ka treguar gatishmëri të madhe për kompromis, në mënyrë që rajoni të jetë më i qëndrueshëm. Por, kjo ekziston edhe sa u përket marrëdhënieve me Shqipërinë. Gjermania e vlerëson këtë dhe do të këtë ndikim në hapjen e kapitullit të parë për integrim”- ka theksuar Merkel. 
 
Derisa kryeministri serb ka shprehur gatishmërinë e qeverisë së tij për bashkëpunim me vendet e rajonit.
 
“Kemi një politikë paqeje në Ballkan. Kam njoftuar zonjën Merkel se sot kemi marrë përgjigjen përfundimtare nga Edi Rama lidhur me propozimin tonë për shkëmbimin e të rinjve, që ka ardhur nga takimi i 28 gushtit të vitit të kaluar kur Merkel organizoi takimin e parë. Jo vetëm me Edi Ramën, por edhe më të tjerë presim nënshkrimin e marrëveshjeve të tilla”- u shpreh Vuçiç.
 
Merkel nga Beogradi udhëton drejt Sarajevës.