Maqedoni
Bllokimi i dialogut politik sjell në Maqedoni eurokomisarin Hahn
09.07.2015 16:24
Pas deklaratës së djeshme të kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev, për braktisjen e bisedimeve për tejkalimin e krizës dhe rikthimit të publikimit të “bombave”...

Pas deklaratës së djeshme të kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev, për braktisjen e bisedimeve për tejkalimin e krizës dhe rikthimit të publikimit të “bombave”, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i BE-së.
Komisioni Evropian kërkon me urgjencë respektimin e Marrëveshjes së arritur më 2 qershor dhe fokusim të partive politike në rekomandimet e dhëna nga Komisioni Evropian.
Kështu ka njoftuar zëdhënësja e eurokomisarit për zgjerim, Maja Kociançiq.
Për këtë arsye eurokomisari, Johanes Hahn, do të qëndrojë në Shkup për të takuar katër liderët politik, me të cilët po zhvillon kontakte me liderët e përfshirë në bisedime.
“Bisedimet mes liderëve politik në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë gjenden në një situatë kritike. Bashkimi Evropian pret që të gjithë ata të veprojnë në mënyrë të përgjegjshme dhe konstruktive. Të punojnë në mënyrë të përkushtuar dhe me vullnet të mirë të zgjidhin problemin e madh. Duke marrë parasysh sfidat me të cilat ballafaqohet vendi, nuk ka kohë për t’u humbur. Ju përkujtojmë se katër liderët nënshkruan Marrëveshjen e 2 qershorit. Kjo u riafirmua pas disa javësh më 19 qershor, kjo marrëveshje është baza e kompromisit përfundimtar”- deklaroi zëdhënësja e Komisionit për Zgjerim, Maja Kociançiq.
Të martën kur pritet eurokomisari, Johanes Hahn, të qëndrojë në Shkup, Brukseli zyrtar pret që t’i jepet fund krizës politike në Maqedoni, thonë nga Komisioni Evropian.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
