Maqedoni
Sh. F. “Vasill Gllavinov” në Slivnik, ndërtohet objekti i ri shkollor
09.07.2015 16:47
Dëshira e kamotshme e banorëve të fshatit Slivnik tanimë po shndërrohet në realitet...

Me fillim prej 1 shatorit nxënësit do të ndjekin mësimin në objektin e ndërtuar, kështu premtuan ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi, dhe zëvendëskryeministri, Musa Xhaferi, të cilët u informuan për së afërmi me rrjedhën e punimeve.
“Jemi këtu për të inspektuar punimet rreth ndërtimit të shkollës fillore në fshatin Slivnik, që ishte një kërkesë e kamotshme e banorëve të këtij fshati. Ky projekt kap vlerën prej 5 milionë e 300 mijë denarë dhe parashihet që të përfundojë për pesë muaj, dhe ne shpresojmë dhe jemi në kontakt me kompaninë që të përshpejtohen punimet dhe objekti të jetë gati në fillim të vitit të ri shkollor. Gjithashtu, për të njëjtën shkollë më herët kemi dhënë pëlqim për punësimin e një mësimdhënësi. Mbetemi të hapur si ministri, por edhe si qeveri për realizimin e projekteve tjera që janë në të mirë të banorëve”- deklaroi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.
Ademi me këtë rast u bëri thirrje nxënësve që të regjistrohen në paralelet me mësim në gjuhën shqipe në qytetin e Velesit.
“Unë gjithashtu i inkurajoj nxënësit shqiptarë të regjistrohen në paralelet me mësim në gjuhën shqipe në Veles. Dhe nëse ka nevojë, ministria do të zgjerojë numrin e paraleleve”- tha ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.
Zëvendëskryeministri Xhaferi theksoi se Qeveria e Republikës së Maqedonisë do të vazhdojë me realizimin e projekteve me qëllim të krijimit të kushteve më të mira për banorët.
“Do të fokusojmë vëmendjen që këtu të ketë më shumë investime për arsye se është inkurajuese se banorët nuk shpërngulen, duke filluar nga Jabollçishtë. Është ndërtuar një minimum infrastrukture, do të përpiqemi që të kenë edhe ujë të pijshëm dhe besoj se në vjeshtë të mund nxënësit të fillojnë mësimin në ndërtesë të re”-theksoi zëvendëskryeministri, Musa Xhaferi.
Banorët e këtij fshati janë tejet të kënaqur nga premtimi i cili u dha dhe u realizua.
“Me vizitën e ministrit jemi të kënaqur, premtimet që i dha ai u realizuan dhe nxënësit premtojmë se më një shtator do fillojnë në shkollë të re dhe do të mësojnë”- u shpreh kryetari i Këshillit të Prindërve, Xhafer Jonuzi.
Fshati Slivnik i Komunës së Velesit numëron rreth 600 banorë, ndërkohë që procesin mësimor e vijojnë 160 nxënës.
FLUTURA LATIFI
