Maqedoni
Kuvendi vazhdon shqyrtimin e Listës nga KE
09.07.2015 17:04
Trupat e Kuvendit Republikan kanë vazhduar shqyrtimin e Listës së prioriteteve urgjente të reformës për Republikën e Maqedonisë nga Komisioni Evropian...

Trupat e Kuvendit Republikan kanë vazhduar shqyrtimin e Listës së prioriteteve urgjente të reformës për Republikën e Maqedonisë nga Komisioni Evropian dhe rekomandimet nga grupi i ekspertëve të lartë për çështjet sistematike për sundimin e së drejtës, që kanë të bëjnë me ndjekjen e komunikimeve të publikuara në pranverën e vitit 2015.
Të gjithë janë dakord se raporti është real dhe duhet të gjejë zbatim. Në bazë të këtij raporti dhe Marrëveshjes së dy qershorit, qeveria ka hartuar planin e veprimit, tha deputeti i BDI-së, Artan Grubi, sipas të cilit, në këtë plan janë përfshirë edhe kërkesat e BDI-së.
“Ndër çështjet që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndëretnike dhe MO-në, më lejoni të përmendi përdorimin e gjuhës zyrtare, pajtimin, risocializimin e pjesëmarrësve të luftës së vitit 2001, konsensualiteti, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, simbolet kombëtare, zhvillimin e balancuar rajonal, buxhetin fer dhe të drejtë, Marrëveshjen e 29 majit të arritur mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, masa për ndërtimin e mirëbesimit, kanali i dytë në gjuhën shqipe të jetë transmetuesi 24 orë me program vetëm në gjuhën shqipe, si dhe ndarjen e tre pozitave kryesore të shtetit”- deklaroi Artan Grubi nga BDI.
Ndërkaq, deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski, thotë se Lista e prioriteteve urgjente të reformës në Maqedoni ka për qëllim baraspeshën sistemore dhe rritjen e standardeve, dhe jo përmirësimin e politikave të gabuara.
“Bëhet fjalë për rekomandime që nuk lidhen me individë, nuk kanë të bëjnë me ideologji apo dogmë politike, por janë rekomandime që rrisin standardet, nivelin dhe normat e sjelljes në sistemin e RM-së, posaçërisht kur bëhet fjalë për kontrollin e pushtetit ekzekutiv, pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe trupat rregullatore dhe ku rritet baraspesha sistemore si një nga postulatet për veprim më efikas dhe të pavarur të të gjitha institucioneve”- tha Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.
Përgjegjësinë më të madhe për këtë që qëndron në raport e keni ju, që thirreni në besimin e qytetarëve, akuzoi Roza Topozova-Karevska. Sipas saj, raporti do një qasje të sinqertë nga shumica parlamentare dhe se vetëm me zbatim të përpiktë vendi mund të dalë nga kjo krizë sistemore, institucionale dhe politike.
“Përgjegjësinë më të madhe për këtë që qëndron në raport e kanë ata. Siç thonë edhe vetë, ata e kanë besimin e qytetarëve që të udhëheqin me shtetin dhe ata janë të obliguar që këtë raport ta kuptojnë seriozisht dhe problemeve t’u qasen me sinqeritet. Nga zgjidhja e këtyre problemeve nuk varet vetëm procesi euroatlantik, por edhe ajo se si do të jetojnë qytetarët e Maqedonisë”- u shpreh Roza Topuzova-Karevska nga PLD.
Lista e prioriteteve urgjente të reformës për Republikën e Maqedonisë nga Komisioni Evropian dhe rekomandimet nga “Raporti i Pribbesë” u shqyrtuan edhe në tre komisione të tjera kuvendore.
SHPËTIM NUREDINI
