Maqedoni
Dështimi i bisedimeve, Gruevski hesht, partia e tij fajëson Zaevin
09.07.2015 17:20
Kryeministri, Nikolla Gruevski, nuk komenton shpalljen e bisedimeve si të dështuara nga lideri i LSDM-së, Zoran Zaev...

Gruevski qëndrimin e tij mbi zhvillimet e djeshme e la të kuptohet nga komunikata e komitetit ekzekutiv të VMRO-së, në të cilën fajësohet Zaev si aktori kryesor për dështimin e bisedimeve.
“Qëndrimi i komitetit ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së do të kumtohet tani nëpërmjet komunikatës”- deklaroi kryeministri, Nikolla Gruevski.
Në komunikatën e VMRO-së thuhet se: “Qëllimi i LSDM-së ishte që bisedimet të dështojnë për dy arsye, që zgjedhjet në prill të 2016-ës të dështojnë dhe të shkaktohet krizë ekonomike.
Për VMRO-DPMNE-në është e papranueshme pjesëmarrja në bisedime për aq kohë sa LSDM-ja e manipulon opinionin me materiale të montuara dhe të përvetësuara ilegalisht.
VMRO-DPMNE-ja e përshëndet përpjekjen e komunitetit ndërkombëtar dhe është e gatshme të zbatojë Marrëveshjen e 2 qershorit, por thekson se nuk ka ndërmend të vazhdojë me lëshime ndaj kërkesave jologjike të LSDM-së.
Ndryshimi i ministrave dhe kryeministrit është çështje që VMRO-DPMNE-ja nuk do ta pranojë”.
Nga LSDM-ja dolën me kundërpërgjigje duke thënë se projekti “E vërteta për Maqedoninë” ka zbardhur fytyrën e vërtetë të Nikolla Gruevskit.
“Gruevski paralajmëron se do të tërhiqet dhe më pas ndërron mendjen. Është në mëdyshje edhe për ministritë, si dhe për qeverinë kalimtare, andaj dhe iu ikë përgjegjësive që i mori me Marrëveshjen e dy qershorit. Me konstatimet e komitetit ekzekutiv, VMRO–DPMNE po shkel Marrëveshjen e dy qershorit. Me këtë marrëveshje Gruevski u dakordua të organizojë qeveri e cila do të realizojë zgjedhje fer dhe demokratike, por më pas u frikësua nga ato zgjedhje dhe tentoi që të zvarrisë procesin”.
Por, nga BDI konsiderojnë se bisedimet do të duhet të vazhdojnë. Sipas zëvendëskryeministrit, Musa Xhaferi, situata do të duhet të merret me përgjegjësi nga të gjitha palët e përfshira në dialog.
“Dialogu, pavarësisht vështirësive, duhet të vazhdojë. Ajo është përgjegjësi e subjekteve kryesore. Nuk mund të lihet situata dhe vendi në një kaos, sepse e kanë përgjegjësi partitë, qofshin në opozitë apo në pozitë. BDI në vazhdimësi është në konsultime me organet e veta dhe me të tjerët, duke përfshirë edhe faktorin ndërkombëtar, që të gjendet një zgjidhje”- tha zëvendëskryeministri, Musa Xhaferi.
Dje lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, i shpalli bisedimet si të pasuksesshme dhe paralajmëroi vazhdimin e publikimit të ”bombave”. Zaev për mossukses të bisedimeve fajësoi Gruevskin, i cili, sipas tij, po minimizon Marrëveshjen e dy qershorit.
Zaev pa dhënë detaje tha se gjatë takimeve është kërkuar që sikurse VMRO ashtu edhe LSDM të jetë garantues i zgjedhjeve fer dhe demokratike.
MERAL ISMAILI
