Maqedoni
Studeniçan, investime në përmirësimin e infrastrukturës rrugore
09.07.2015 17:55
Asfaltimi i rrugëve në fshatin Studeniçan është realizimi i një dëshire të kamotshme për banorët e kësaj ane...

Shumica e banorëve thonë se rrugët me gropa, të cilat nuk janë asfaltuar gati 50 vite, e kanë vështirësuar qarkullimin në komunikacion. Madje, ata thonë se nga shkaku i rrugëve të këqija janë detyruar të vizitojnë shpeshherë mjeshtërit e makinave.
“Pas shtatorit është shumë e vlefshme kjo, sepse ka shumë prindër të cilët çdo ditë fëmijët e tyre i qojnë në shkollë, ashtu që kjo është gëzim për popullatën tonë. Asfalt të ri, asfalt të mirë nuk ka pasur 50 vite këtu, prandaj çdo gjë që është e mirë është e mirë dhe nuk duhet t’i jepet konotacion tjetër, ajo ngelet e mirë”- tha një qytetar.
“Kohët e fundit kryetari aktual i kësaj komune e ka rregulluar rrugët me të gjitha standardet evropiane siç kërkohet. Ne gjatë gjithë kohës kemi qenë të detyruar të shkojmë çdo dy ditë në mjeshtër, rrugët ishin tërësisht të shkatërruara, të anashkaluara. Kërkojmë edhe në të ardhmen të vazhdojë kështu”- u shpreh një qytetar.
Gjithashtu për të pasur një ambient më të pastër jetësor, në çdo shtyllë elektrike të këtij fshati janë vendosur kontejnerë për mbeturinat, tani u mbetet qytetarëve të kujdesen se ku i hedhin ato.
Kryetari i Komunës, Azem Sadiku, thotë se rruga numër një është mjaft e frekuentuar, sepse kjo e lidhë qendrën e fshatit me shkollën.
“Komuna e Studeniçanit sa e ka përfunduar, d.m.th. asfaltimin e rrugës numër një. Kjo rrugë është shumë e rëndësishme për qytetarët, sepse e lidhë pjesën më të madhe të vendbanimit me shkollën fillore. Aty bëhet lëvizje shumë e madhe, kjo rrugë ka qenë shumë e dëmtuar. Vitin e kaluar e ndërtuam gjysmën e kësaj rruge, kurse këto ditë e kemi përfunduar deri në qendër. Është e rregulluar edhe me trotuar edhe pjesa ku do të kalojnë ujërat atmosferikë”- tha kryetari i Komunës së Studeniçanit, Azem Sadiki.
Disa muaj më parë, në këtë fshat u asfaltua edhe njëra nga rrugët kryesore, rruga numër dy.
Projekti u realizua në bashkëpunim me Agjencinë zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, e cila kapi vlerën e 7 milionë e 600 mijë denarëve. Në të ardhmen, siç premton kryetari i kësaj komune, priten edhe investime tjera në përmirësimin e infrastrukturës, përfshi edhe asfaltimin e rrugës numër katër.
FARIJE DAUTI-BAKIJU
