Botë
Tiranë, konferencë mbi radikalizmin fetar
10.07.2015 15:46
Lufta kundër radikalizmit fetar është prioritet i Qeverisë shqiptare, deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri...

Lufta kundër radikalizmit fetar është prioritet i Qeverisë shqiptare, deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, në konferencën "Radikalizmi fetar dhe ekstremizmi", që u mbajt në Tiranë. Tahiri njëherit nënvizoi se “toleranca fetare në Shqipëri është element kyç kundër ekstremizmit”.
“Përpjekja jonë për ta bërë vendin më të sigurt nuk është kurrë dhe nuk mund të jetë kurrë sipërmarrje e vetëm disa aktorëve në shoqëri, qofshin këto institucione apo të tjerët, por mund të jetë vetëm sipërmarrje e suksesshme, ku koordinohen energjitë pozitive të të gjithëve, përfshirë institucionet, shoqërinë, përfshirë mediat, përfshirë qytetarin dhe rolin kyç që ka”- deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri.
Edhe ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Romana Vlahutin, dhe ambasadori amerikan, Donald Lu, theksuan nevojën për përpjekje të përbashkëta për të luftuar fenomenin e ekstremizmit fetar, që u vlerësua si shqetësues për gjithë botën.
“Ndërkombëtarët duhet të tregohen më aktiv në këtë drejtim dhe të mos jenë indiferent, pasi radikalizmi është fenomen global. Duhet bashkëpunim më i madh dhe më serioz mes vendeve të Ballkanit, duke qenë se rajoni i Ballkanit perëndimor përdoret nga ekstremistët që stërviten dhe përgatiten për luftë. Ballkani e ka treguar se deri diku e ka të pamundur të menaxhojë këtë situatë, por Unioni Evropian është i gatshëm të ndihmojë Shqipërinë dhe rajonin në këtë luftë të përbashkët”- tha ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin.
“Shoqëria civile është çelësi për zhbllokimin e çështjes së ekstremizmit të dhunshëm si për të kuptuar përmasat e tij, por edhe për të pasur parasysh se si luftohet kundër radikalizmit të të rinjve”- u shpreh ambasadori i ShBA-ve në Tiranë, Donald Lu.
Kryetari i Bashkësisë Islame në Shqipëri, Skënder Bruçaj, tha se njerëzit duhen ndërgjegjësuar për pranimin e diversitetit.
“Ekstremizmi i dhunshëm është një problem global që përfiton çdo ditë e më shumë përparësi falë trazirave ekonomike dhe politike që po përjetojnë shoqëritë”- theksoi kryetari i BFISh-së, Skënder Bruçaj.
Ekstremizmi i dhunshëm, qoftë fetar apo jo, është një kërcënim për shoqëritë, prandaj duhet të jemi të bashkuar që ta luftojmë këtë fenomen, theksoi kryetari i Bashkësisë Islame në Shqipëri, Skënder Bruçaj.
GYLTENE SINANI
