Maqedoni

Furnizimi me gaz, Maqedonia do të ketë dy kyçje të reja

10.07.2015 15:48

Maqedonia do të ketë 2 kyçje të reja për furnizim me gaz. Ministria e Ekonomisë sot nënshkroi memorandum për qasje të përbashkët për realizimin e diversifikimit të gazit natyror...

Me këtë projekt do të mundësohet që Maqedonia të sjellë gazin nga Greqia dhe Bullgaria.
 
Ministri Neziri theksoi se me këtë projekt do të mundësohet që të rritet konkurrenca dhe do të lirohet çmimi i gazit, pasi që deri tani Maqedonia në një mënyrë është e varur vetëm prej gazit rus.
 
“Nënshkrimi i memorandumit, që nënshkruhet sot, ofron që Maqedonia nëpërmjet 2 projekteve të cilat ne i kemi dhënë në Komisionin Evropian t’i mundësohet që të ketë edhe 2 kyçje tjera, ajo është kyçja me Greqinë dhe me Bullgarinë, që në një mënyrë do të mundësohet që të shfrytëzohet edhe gazi nga Azerbajxhani, nga Deti i Zi përmes Rumanisë, si dhe gazi nga Greqia”- deklaroi ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
 
Ndërkohë, i pyetur nga gazetarët për ndikimin e krizës së Greqisë në ekonominë e vendit, ministri Neziri vlerësoi se deri më tani nuk ka ndikim konkret, por vazhdimi i krizës mund  të ketë efekte negative edhe mbi ekonominë e vendit.  
 
“Çdo krizë politike në vendet përreth Republikës së Maqedonisë, ose më saktë të themi në Republikën e Greqisë, në staza afatmesme mund të ketë efekte negative. Deri tani nuk kemi evidentuar ndonjë efekt negativ, mirëpo nëse kjo krizë zgjatë, është normale që të mendohet dhe ne si shtet përgatisim strategji se si do t’iu përgjigjemi sfidave të cilat Maqedonia duhet t’i pason në të ardhmen”- tha Neziri.
 
Po ashtu, Neziri theksoi se në bazë të këtij memorandumi Maqedonia do jetë pjesë e rajonit, në të cilin do të pasojnë disa aktivitete të koordinuara nga Komisioni Evropian dhe institucionet financiare ndërkombëtare.
 
ERSAN PAJAZITI