Maqedoni

Braktisja e bisedimeve nga Zaev, Memeti: ulet kredibiliteti i liderëve; Bakiu: pritet që opozita të radikalizojë veprimet

10.07.2015 16:29

Braktisja e bisedimeve nga lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, sipas analistëve politik ulë kredibilitetin e liderëve politik para syve të ndërkombëtarëve...

Braktisja e bisedimeve nga lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, sipas analistëve politik ulë kredibilitetin e liderëve politik para syve të ndërkombëtarëve për gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët për krizën politike.
 
Analisti, Ibrahim Memeti, thotë se veç kësaj, tanimë do të komplikohet akoma më shumë gjetja e zgjidhjes së problemit.
 
“Kjo edhe më tepër do ta ulë kredibilitetin e klasës politike të Maqedonisë, e cila dëshmoi se jo vetëm që nuk është në gjendje të marrë vendime të cilat i ngjajnë një shteti kandidat për anëtarësim në Unionin Evropian, por nuk janë në gjendje as të bisedojnë”- deklaroi analisti politik, Ibrahim Memeti.      
                                                                                     
Ndërsa sipas analistit, Bashkim Bakiut, tani pritet që LSDM të ndryshojë ushtrimit e presionit mbi qeverinë.
 
“Mund të merr kahje në ndryshimin e veprimit të Zaevit dhe LSDM-së, d.m.th. formën e veprimit ndaj Gruevskit dhe ndaj qeverisë në përgjithësi, mënyrën e plasimit të “bombave”, intensitetin e “bombave” dhe përbërjen e vetë “bombave” të cilat deri më tani i ka plasuar, megjithatë konkretisht tek VMRO-DPMNE nuk ka pasur ndonjë efekt konkret” – tha analisti politik, Bashkim Bakiu.
 
Analistët marrin me skepticizëm ardhjen e eurokomisarit Hahn dhe ndihmëssekretares amerikane të shtetit, Viktoria Nulland, javën e ardhshme në Shkup.
 
Mehmeti thotë se vizita e tyre mund të jetë sinjal pozitiv, ndërsa Bakiu shprehet se presionet e BE-së mund të ashpërsohen në tetor kur Maqedonia do të marrë raport-progresin.            
 
“Këto vizita dhe ndërmjetësimi i ShBA-ve dhe Unionit Evropian do të jetë një impuls i ri, një përpjekje për të dalë nga kjo status kuo, e cila po ndodhë dhe shpresoj se angazhimi i tyre do të jetë më i madh seç ka qenë deri më tani edhe pse është e qartë se edhe BE edhe ShBA-të përpiqen të qëndrojnë më larg që t’i lënë vetë aktorët vendas të gjejnë zgjidhje, sepse kjo e sjell në pikëpyetje kredibilitetin e Maqedonisë si shtet kandidat”- tha analisti politik, Ibrahim Memeti.                                                                         
 
“Momenti kur do të ofrohet një zgjidhje apo do të shihet drita në tunelin që është krijuar këtu në vend, do të jetë tetori kur edhe realisht Komisioni Evropian dërgon progres-raportin edhe për Maqedoninë. Mendoj se kjo fazë do të jetë më e ashpër në raport me Komision Evropian apo Bashkim Evropian ndaj Maqedonisë”- theksoi analisti politik, Bashkim Bakiu. 
 
Analistët politik vlerësojnë se kjo situatë mund të shfrytëzohet nga liderët shqiptarë për të krijuar strategji me kërkesa të qarta në interes të shqiptarëve.
 
MERAL ISMAILI