Botë
Bangladesh, jepeshin veshje falas në fabrikë, vdesin 23 persona, u shkelën nga njëri-tjetri
10.07.2015 17:23
Një gjest humanizmi ndaj të varfërve u kthye në tragjedi në Bangladesh, ku jetën e kanë humbur rreth 23 persona në qytetin e Mymensingh në veri të Bangladeshit...

Një gjest humanizmi ndaj të varfërve u kthye në tragjedi në Bangladesh, ku jetën e kanë humbur rreth 23 persona në qytetin e Mymensingh në veri të Bangladeshit, pasi u shkelën në një hyrje të një fabrike që jepte veshje falas për të varfrit.
Qindra persona u sulën në hyrjen e ngushtë të kësaj fabrike dhe mu aty ku ndodhi tragjedia njerëzit shkelën mbi ata që u rrëzuan, duke u munduar të hynin me forcë në fabrikë dhe të përfitonin nga rasti.
Policia ka arrestuar 7 persona, përfshirë edhe pronarin e fabrikës, e cila dhuronte veshje falas për të varfrit.
"Në mëngjes, një numër i madh i njerëzve të varfër u mblodhën për të marrë zeqatin –siç njihet në besimin Islam si dhurata për të varfrit nga një njeri i pasur, dhe në momentin që ka filluar shpërndarja është bërë rrëmujë e madhe në hyrje të fabrikës, e cila shpërndante rrobat dhe për shkak të kësaj një numër i njerëzve kanë vdekur. Deri tani ne kemi gjetur 23 trupa dhe numri i tyre pritet të rritet”- deklaroi një oficer i policisë.
"Në momentin kur u hap dera, i tërë populli nxituan përmes portës kush më shpejt të arrinte të përfitonte sa më shumë për vete. Shumë prej tyre ranë përtokë dhe të tjerët shkelnin mbi ta, dhe ata vdiqën”- tha një e plagosur në këtë incident.
Gjatë muajit të Ramazanit, të pasurit në Bangladesh i falin rroba të varfërve. Policia tha për AFP-në se 1500 persona ishin grumbulluar jashtë fabrikës, pasi ishte dhënë njoftimi për shpërndarjen e veshjeve.
Nuk është hera e parë që gjatë ceremonive fetare të ndodhin fatkeqësi të këtilla, edhe në mars të këtij viti të paktën 10 persona u vranë gjatë ikjes në rrëmujë në kryeqytetin e Bangladeshit, Dhaka, kur mijëra besimtarë morën pjesë në një ritual hindu më brigjet e një lumi të quajtur Bramaputra.
FARIJE DAUTI-BAKIJU
