Maqedoni
Kriza politike, Han të martën në Shkup, mbledh liderët
10.07.2015 17:27
Komisari i BE-së për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë Evropiane, Johanes Han, të martën do ta vizitojë Republikën e Maqedonisë...

Komisari i BE-së për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë Evropiane, Johanes Han, të martën do ta vizitojë Republikën e Maqedonisë, në një përpjekje të re për të ndërmjetësuar një marrëveshje midis liderëve politikë.
Han vjen në Shkup pasi dialogu politik po shënon një fazë kritike, përkatësisht pasi LSDM mori vendimin që të braktis bisedimet.
Lajmin e ka konfirmuar nga Brukseli zëdhënësja e komisarit Han, Maja Kocijançiç.
Është paraparë që ditën e martë, Han të ketë takime të ndara, e pastaj edhe takime të përbashkëta me liderët politikë, Nikolla Gruevskin, Zoran Zaevin, Ali Ahmetin dhe Menduh Thaçin për të finalizuar marrëveshjen përfundimtare për tejkalimin e krizës politike, në kuadër të kornizës së rënë dakord më 2 qershor, e cila parasheh mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në prill të vitit të ardhshëm.
Një ditë më parë, BE ripërsëriti qëndrimin se Marrëveshja e 2 qershorit është baza e kompromisit përfundimtar dhe duke marrë parasysh sfidat me të cilat ballafaqohet vendi, nuk ka kohë për t’u humbur. Zëdhënësja e komisarit Han, Maja Kocijançiç përkujtoi se katër liderët e kanë nënshkruar Marrëveshjen e 2 qershorit dhe e kanë riafirmuar atë më 19 qershor në Strasburg, prandaj Brukseli kërkon që të punojnë në mënyrë të përkushtuar dhe me vullnet të mirë për të zgjidhur problemin e madh.
Para takimit me komisarin Han, Shkupi zyrtar do të pret edhe zëvendëssekretarin e shtetit të ShBA-ve, Viktoria Nuland, ku gjithashtu temë kryesore do të jetë kriza politike dhe tejkalimi i saj.
Ndryshe, partitë maqedonase pjesëmarrëse në bisedime kanë akuzuar njëra-tjetrën për dështimin e bisedimeve.
Sipas VMRO-DPMNE-së, është LSDM-ja ajo që dëshiron dështimin e zgjedhjeve në prill të 2016-ës, ndërkaq partia e Zaevit thotë se është Gruevski ai që u ikë përgjegjësive që i ka marrë me Marrëveshjen e dy qershorit, pasi ka ndërruar mendje edhe për qeverinë kalimtare edhe për dorëheqjen e tij.
Ndërsa kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka ftuar dy liderët maqedonas që ta tejkalojnë vetën sa më parë dhe të veprojnë me guxim drejt arritjes së kompromisit, duke pasur në radhë të parë interesat e vendit dhe të qytetarëve. Këtë qëndrim Ahmeti ia përcolli në takimin e djeshëm ambasadorit amerikan, Xhes Bejli.
SHPËTIM NUREDINI
