Maqedoni

Platformë të përbashkët Lëvizja për Reforma-PDSh dhe RDK

10.07.2015 18:17

Pas zyrtarizimit të koalicionit të cilin e quajtën “Aleanca për shqiptarët”, dy forcat politike Lëvizja për reforma - PDSh dhe RDK sot në Gostivar...

Pas zyrtarizimit të koalicionit të cilin e quajtën “Aleanca për shqiptarët”, dy forcat politike Lëvizja për reforma - PDSh dhe RDK sot në Gostivar e promovuan edhe fillimin me punë të grupeve punuese për hartimin e platformës së përbashkët nga e cila do të dalin kërkesat për zgjidhjen e çështjes shqiptare në Maqedoni.
 
Liderët e këtyre dy partive, Vesel Memedi dhe Ziadin Sela, u zotuan se platforma e tyre do të jetë publike, e hapur për të gjithë intelektualët, universitetet, organizatat joqeveritare dhe subjekte të tjera politike, pikëpamjet e të cilëve do përputhen me platformën e tyre. Kreu i RDK-së, Memedi, tha se ky takim dhe ky akt dëshmon se bashkëpunimi me Lëvizjen për Reforma-PDSh nuk është populist, as marketing politik, por një nismë e duhur dhe shumë e sinqertë.
 
Nga ana tjetër, kryetari i LR-PDSh-së, Ziadin Sela, tha se kjo platformë dhe “Aleanca shqiptare” ka për qëllim të sjellë të mira për shqiptarët e Maqedonisë dhe më gjerë. Sela ripërsëriti qëndrimin se nëse marrin legjitimitetin nga populli shqiptar, nuk do të bëhen pjesë e asnjë qeverie nëse nuk pranohen kushtet e tyre për ndryshimet kushtetuese.
 
Grupet punuese do të vazhdojnë në përpilimin e platformës politike të “Aleancës shqiptare” mes LR-PDSh-së dhe RDK-së maksimum deri në fund të vitit, ku dhe pastaj platforma do të jetë publike për opinionin.
 
Palët theksuan se takimi i radhës pritet të jetë në Tetovë, ku do kenë të gatshëm një draft-version të platformës politike, por edhe logon e “Aleancës shqiptare”.
 
LULZIM HAZIRI