Futboll

Sa janë gjasat e Shqipërisë për Euro 2016?

12.07.2015 15:46

Me tri pikët e fituara pas vendim it të CAS-it, ëndrra e Shqipërisë për të qenë pjesë e EURO 2016 në Francë është më se e realizueshme...

Aktualisht kuqezinjtë e De Biasit pozicionohen të dytët, dy pikë më pak se kryesuesit e Portugalisë dhe synimi është që të ruajnë vendin e dytë deri në fund të kualifikuese.
 
Rivali direkt është Danimarka, e cila ka të njëjtën sasi pikësh, por golavarazh më të dobët për momentin.
 
Vendi i tretë
Shqipëria mund të quhet minimalisht pjesëmarrëse në “play-off”. Rivali i vetëm matematikor është Armenia, e cila, për të lënë pas vetes kuqezinjtë, duhet t’i fitojë të tri ndeshjet e mbetura, në një kohë që skuadra e De Biazit të humbasë të katërta përballjet e saj. Madje, armenët të kenë edhe një fitore me më shumë se një gol diferencë në duelin kundër nesh. Shanse më pak se minimale. Në fakt, Armenia luan në transfertë ndaj Serbisë sfidën e radhës dhe Shqipëria mund ta zyrtarizojë një nga tre vendet e para nëse ata nuk arrijnë të marrin maksimumin.
 
Vendi i dytë
Shanset janë të mëdha për të ruajtur pozicionin aktual. Danimarka ka po aq pikë sa kuqezinjtë, por ka zhvilluar një ndeshje më tepër. Që danezët të sigurojnë kualifikimin e menjëhershëm, kanë tre variante:
1- Të marrin në tri ndeshje më shumë pikë se sa Shqipëria, e cila ka 4 ndeshje në dispozicion. Danezët luajnë kundër kuqezinjve në shtëpi dhe Armenisë e Portugalisë në transfertë.
2- Duhet të fitojnë ndeshjen me Shqipërinë më 4 shtator dhe kjo u jep avantazhin që, në rast barazimi me pikë në renditjen përfundimtare, të jenë para ekipit të De Biasit, shkruan panorama sport.
3- Të barazojnë pa gola në ndeshjen me Shqipërinë më 4 shtator dhe kjo gjithashtu u jep avantazhin që, në rast barazimi me pikë në renditjen përfundimtare, të kualifikohen ata, duke përfituar nga goli i shënuar në fushë kundërshtare (barazuan 1:1 në Shqipëri) Nga ana tjetër, djemtë e De Biazit duhet të kërkojnë fitore, por edhe një barazim me të paktën një gol të shënuar në transfertën e shtatorit, përballë kombëtares së trajnerit Olsen, i cili do t’i ndihmonte në rast barazimi. Sa i përket rivalitetit të Shqipërisë me Portugalinë, gjithashtu ka shanse që të lihen pas vetes luzitanët.
Ekipi i trajnerit Fernando Santos ka zhvilluar një ndeshje më shumë deri tani. Kuqezinjtë duhet të evitojnë humbjen në duelin direkt me portugezët, të fitojnë ndeshjen më shumë që kanë në dispozicion (për shembull ndaj Armenisë, si rivali më i dobët në letër) dhe ndaj Danimarkës e Serbisë, të marrë po aq pikë sa edhe Portugalia, në ndeshjen ndaj këtyre dy rivalëve.
 
Vendi i tretë më i mirë
Sipas rregullores, kualifikimin e menjëhershëm për në Europian e siguron edhe Kombëtarja e tretë më e mirë e të gjitha grupeve. Aktualisht është Danimarka më e mira, me pikë të barabarta me Hungarinë. Po aq sa ka edhe Shqipëria për momentin, dhjetë të tilla.