Futboll
Edhe një shqiptar në Inter
12.07.2015 16:35
Shihet një futbollist i së ardhmes dhe për këtë shumë ekipe në Serie A ishin të interesuar për Rey Manaj, por Interi ka ngulmuar fort dhe e ka bërë të vetin...

Në sezonin e ri atë do ta shohim me bluzën zikaltër, ndonëse Juventus ka qenë deri në momentet e fundit më afër tij. Portali “FcInternews” shkruan se akordi mes të riut shqiptar dhe Interit është arritur dhe pritet vetëm firma në kontratë, e cila do të bëhet më 14 korrik.
Kartoni i Manajt kushtonte 1 milionë e 500 mijë euro dhe Juventus ishte gati të paguante këtë shumë, por Interi ka hyrë në lojë me një lojtar tjetër.
Pra, duke paguar 1 milionë euro te klubi që zotëron kartonin e shqiptarit, Cremonese, dhe duke i dhënë kartonin e sulmuesit Luca Forte, që mund t’i bëjë shumë punë ekipit të Lega Pro.
E vështirë që Manaj të zërë menjëherë vend në formacionin e Mancinit, por gjithsesi, atij mund t’i rezervohen minuta dhe këtu pritet shfrytëzimi i mundësisë së sulmuesit shqiptar.
Në sezonin e tij si debutues me skuadrën e parë të Cremoneses, Rey Manaj ka koleksionuar 22 paraqitje dhe 2 gola në Lega Pro, duke i bërë të çmenden mbrojtjet kundërshtare.
Me golin e shënuar, më 11 tetor 2014, në moshën 17 vjeç e 7 muaj, ai u bë lojtari më i ri i të gjitha kohërave që realizon në këtë kampionat.
Por Rey Manaj është edhe kontigjent i ekipit kombëtar U-21. Pas aktivizimit të shkurtër me U-19, ka debutuar me Shpresat, me të cilën ka shënuar menjëherë në ndeshjen e parë dhe së shpejti mund të bëjë debutimin edhe me Kombëtaren e madhe të drejtuar nga De Biazi.
Lushnjari 18-vjeçar ka të dhëna shumë të mira dhe shihet si një talentët më të mirë shqiptarë të kohëve të fundit, sidomos në vijën e parë. Koha flet për të, me Interin ai mund të shfrytëzojë të gjithë aftësitë e tij, duke lënë gjurmë në Serie A.
