Eurozona kontraktoi pagesë të tretë të Greqisë prej 87 miliardë eurosh
Më në fund është arritur marrëveshja në samitin e lartë të Eurozonës në lidhje me zgjidhjen e krizës greke...

Presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk, ka shkruar në Twitter se vendet e Eurozonës kanë arritur "një marrëveshje unanime".
"Samiti ka arritur një marrëveshje unanime. Jemi gati për implementimin e programit për Greqinë me reforma serioze dhe mbështetje financiare", shkroi Tusk në rrjetin social.
Një nga kushtet kryesore për zbatimin e marrëveshjes është që Parlamenti i Greqisë të miratojë reformat e propozuara nga vendet europiane. Por, duke qenë se sapo është bërë referendumi që refuzoi reformat shtrënguese, nuk duket se do të jetë i lehtë ky miratim.
Udhëheqësi i Eurogrupit, Dajselblum, u shpreh: "Besimi ishte çelësi i suksesit. Ne pamë reformat, borxhet dhe nevojat financiare. Ishim në gjendje të arrinim një marrëveshje për të gjithë këto çështje, në mënyrë që të kthejmë Greqinë në binarë".
Ndërsa kreu i Komisionit Europian,Zhan Klod Junkerështë i bindur se Parlamenti grek do e miratojë planin e ndihmës financiare: "Jam i bindur se vendimi ynë do të kalojë në Parlament. Nuk ka fitues apo humbës nga kjo marrëveshje. Nuk mendoj se populli grek është turpëruar dhe nuk mendoj se vendeve europiane i ka ikur fytyra".
Marrëvershja në takimin e nivelit të lartë të eurozonës do të sigurojë që Greqia të mbetet në unionin monetar brenda kushteve - t'i respektojë rregullat e Bashkimit Evropian, deklaroi presidenti francez, Fransoa Oland.
"Liderët evropianë e arritën qëllimin kryesor të negociatave - ta ruajnë unitetin dhe solidaritetin e eurozonës",theksoi Oland.
Ai shtoi se qëllimi tjetër ishte t'i jepet shpresë Greqisë dhe popullit grek.
Oland e përshëdneti "marrëveshjen historike" të BE-së dhe "zgjedhjes së guximshme të kryeministrit grek Aleksis Cipras". Parlamenti francez do të votojë të mërkurën për marrëveshjen me Greqinë.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, reagoi pas arritjes së marrëveshjes me Greqinë, duke thënë se 80 miliardë euro do të jetë ndihma financiare në këmbim të reformës së plotë të pensioneve dhe disa ndryshimeve të tjera thelbësore.
"25 miliardë euro do të përdoren për rikapitalizimin e bankave, të cilat më pas do të privatizohen nën vëzhgimin e vendeve europiane. Duhet të mbështesim programin, pasi në të shkuarën kemi parë që ka pasur vështirësi në implementimin e programeve", tha Merkel.
Në lidhje me pyetjen nëse Parlamenti grek do e miratojë këtë marrëveshje, Merkel tha: "Situata në Greqi është e tensionuar, por është në interesin e Greqisë të zbatojë marrëveshjen. Mendoj se besimi mund të rifitohet".
