Botë
Bruksel, arrihet marrëveshje për krizën greke
13.07.2015 14:51
Pas 17 orë bisedimesh intensive, liderët e Eurozonës kanë arritur kompromis që Greqisë t’i japin ndihmë financiare në kuadër të programit të tretë për shpëtim...

Pas 17 orë bisedimesh intensive, liderët e Eurozonës kanë arritur kompromis që Greqisë t’i japin ndihmë financiare në kuadër të programit të tretë për shpëtim, me çka do t’i mundësohet Greqisë të mbetet edhe më tej anëtare e Eurozonës, informoi kryetari i Këshillit Evropian, Donald Tusk.
“Pas 17 orësh bisedime, ne kemi arritur kompromis. Liderët kanë arritur marrëveshje për të filluar negociata për programin e Mekanizmit Evropian për Stabilitet, që nënkupton ndihmë të vazhdueshme financiare për Greqinë. Vendimi i jep mundësi Greqisë që të kthehet në binare me ndihmën e partnerëve evropianë”- deklaroi kryetari i Këshillit Evropian, Donald Tusk.
Pagesa e ndihmës për Greqisë në 3 vitet e ardhshme do të arrijë vlerën e 86 miliard eurove. Por, një nga kushtet kryesore për zbatimin e marrëveshjes është që Parlamenti i Greqisë të miratojë reformat e propozuara nga vendet evropiane.
Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras, në reagimin e tij pas arritjes së marrëveshjes tha se kishte luftuar një betejë të ashpër dhe ishte detyruar të merrte vendime të vështira.
“Morëm përsipër përgjegjësinë për vendimin e shmangies së planeve ekstreme nga rrethet konservative evropiane. Arritëm të ristrukturonim borxhin dhe të siguronim një financim afatmesëm”- tha kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras.
Presidenti i Francës, Francois Holland, tha se marrëveshja do t’i mundësojë Greqisë të mbetet në Unionin Monetar, por me kusht t’i respektojë ligjet e Bashkimit Evropian.
“Liderët evropianë arritën objektivin kryesor të bisedimeve, të ruajnë unitetin dhe solidaritetin e Eurozonës”- theksoi presidenti i Francës, Francois Hollande.
Ndërsa kancelarja gjermane, Angela Merkel, më në fund pranoi se kishte rifituar disi besim te pala greke, por i bëri thirrje Parlamentit helen që të miratojë sa më shpejt marrëveshjen, në mënyrë që ajo të vihet në zbatim.
“Banka Qendrore Evropiane pret që Greqia t’i kthejë 3 miliard euro dhe eurogrupi do të punojë në këtë drejtim, marrëveshja ofron që Greqia të zhvillohet ekonomikisht, por do t’i duhet një kohë e gjatë”- u shpreh kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Marrëveshja përfshin një fond prej 50 miliard eurosh të bazuara në asetet e Greqisë, 25 miliard prej të cilave do të përdoren për të rikapitalizuar bankat greke, informoi kreu i grupit të ministrave të Financave të Eurozonës, Jeroen Dijsselbloem.
ERSAN PAJAZITI
