Gruevski, Zaev, Ahmeti dhe Thaçi takuan ndihmëssekretaren amerikane, Nuland
Ndihmëssekretarja e Shtetit amerikan, Viktoria Nuland, në takime të ndara ka takuar katër liderët e partive më të mëdha në vend...

Ndihmëssekretarja e Shtetit amerikan, Viktoria Nuland, në takime të ndara ka takuar katër liderët e partive më të mëdha në vend, atë të VMRO-DPMENE-së, Nikolla Gruevskin, Zoran Zaevin e LSDM-së, njeriun e parë të BDI-së, Ali Ahmetin, si dhe liderin e PDSh-së, Menduh Thaçin.
Kriza e thellë politike të zgjidhet menjëherë, kjo është porosia që e kanë marrë të gjithë liderët e partive politike nga diplomatja amerikane Nuland. Pas takimit, kryeministri, Nikolla Gruevski, njëherit edhe kryetar i VMRO-DPMNE-së, në deklaratën e tij foli shumë për raportet mes Maqedonisë dhe ShBA-së, por shumë pak për krizën politike.
Ai tha se është konstatuar që raportet mes dy shteteve janë të shkëlqyeshme dhe se karakterizohen me dialog të hapur.
“Biseduam edhe për situatën e brendshme politike dhe sfidat në Maqedoni. Vlerat euroatlantike janë udhëzues edhe gjatë zgjidhjes së zhvillimeve politike. Zgjidhja e tyre është e mundur vetëm përmes procesit ligjor, institucional dhe politik në përputhje me rendin kushtetues dhe parimet e vendosura të demokracisë dhe shtetit të së drejtës”- deklaroi lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
Sipas komunikatës që kanë lëshuar socialdemokratët, në takimin e Zoran Zaevit me diplomaten amerikane, Nuland, është shprehur pajtueshmëri se janë të domosdoshme ndryshime në funksionalitetin e institucioneve, gjyqësorit, mediave, si dhe të një pjese të procesit të ndryshimit të sistemit të partizuar.
“Është me rëndësi për qytetarët e Republikës së Maqedonisë të kthehet liria dhe demokracia, si dhe të sigurohen të drejtat e njeriut. Në atë drejtim po vepron edhe Lidhja Socialdemokrate dhe po insiston në mekanizma që do ta mundësojnë këtë gjë”- ka theksuar Zaev gjatë takimit.
Në kumtesën e BDI-së thuhet se lideri i integristëve, Ali Ahmeti, ka theksuar qëndrimin e tij për krizën politike, por kanë diskutuar edhe për integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE përmes zgjidhjes së çështjes së emrit dhe reformave sistemore.
“Kryetari Ahmeti njoftoi zonjën Nuland për pozitat e BDI-së në lidhje me krizën politike në vend, si dhe me aktivitet që ka ndërmarrë BDI për mbajtjen e takimeve të liderëve, propozimet dhe iniciativat e BDI-së, por edhe për hapat që planifikon t’i ndërmarrë BDI varësisht nga rezultati i bisedimeve në ditët në vijim. Zoti Ahmeti e vlerësoi si të papranueshëm vazhdimin e krizës politike, sepse e gjithë shoqëria është në pritje të zgjidhjes dhe vijimit të rrugëtimit tonë euroatlantik”- thuhet në njoftimin me shkrim të BDI-së.
Derisa në kumtesën e PDSh-së thuhet se edhe lideri i kësaj partie, Menduh Thaçi, dhe diplomatja amerikane, Nuland, kanë diskutuar për krizën politike në vend, si dhe për zhvillimet në dialogun midis partive politike, që lehtësohet nga ShBA dhe BE.
“Kryetari Thaçi vlerësoi se situata aktuale është e palogjikshme dhe në kundërshtim me atë që duhet bërë për t’u zgjidhur kriza politike, juridike dhe ekonomike. Në këtë drejtim, kryetari Thaçi konstatoi se mosmarrëveshjet mes partive maqedonase janë virtuale dhe se problemet reale të Maqedonisë janë: çështja e emrit, marrëdhëniet ndëretnike, gjegjësisht të drejtat e shqiptarëve, funksionimi i institucioneve, si dhe ndarja e drejtë dhe proporcionale e buxhetit, andaj pa zgjidhjen e çështjesh së emrit dhe të marrëdhënieve ndëretnike i tërë ky proces nuk ka kuptim”- citohet në kumtesën partiake të liderit të PDSh-së, Menduh Thaçit. (Sanije Kasami, TVM2)
