Maqedoni

Rekonstruimi i spitalit të qytetit, punimet fillojnë në muajin gusht të këtij viti

13.07.2015 16:23

Gjatë muajit gusht të këtij viti do të fillojnë punimet e para për rekonstruimin e Spitalit të specializuar për Sëmundje Kirurgjike “Shën Naumi i Ohrit” në Shkup...

Ky investim është një ndër investimet më të  mëdha që janë paralajmëruar të realizohen në këtë spital.
 
Është paraparë të rinovohen sallat e ndërhyrjeve, dhomat intensive, korridoret, muret, çatia e spitalit, si dhe të bëhet ndryshim i tërësishëm i pajisjeve dhe dhomave të pacientëve.
 
“Rekonstruimi i paralajmëruar do të realizohet në tre faza. Faza e parë është e parapërgatitjeve. Faza e dytë do të realizohet atëherë kur spitali nuk do të punojë për 45 ditë për shkak të renovimit të dhomave të pacientëve dhe sallave për ndërhyrje. Ndërsa faza e tretë përfshin furnizimin e spitalit me pajisje cilësore bashkëkohore në fushën e mjekësisë”- deklaroi drejtoresha e Spitalit “Shën Naumi i Ohrit”, Jasmina Çabukovska.
 
Me rekonstruimin e spitalit të qytetit, që pritet të përfundojë në shkurt të vitit të ardhshëm, do t’u mundësohet pacientëve shërbime më cilësore dhe sipas të gjitha standardeve botërore në mjekësi.
 
Në nivel vjetor në këtë spital kryhen mbi 220 mijë vizita mjekësore dhe rreth 4 mijë ndërhyrje kirurgjikale. 
 
REXHEP QAMILI