Maqedoni
Vizita e Nuland në Shkup, Nuland: kriza politike mund dhe duhet të zgjidhet
13.07.2015 17:01
ShBA-të kërkojnë zgjidhje sa më të shpejtë të krizës politike, rikthimin e shtetit ligjor dhe vazhdimin e agjendës euroatlantike...

Kriza politike mund dhe duhet të zgjidhet, ishte e prerë Viktoria Nuland, ndihmëssekretare e Departamentit të Shtetit për Evropë dhe Euro-Azi.
Nuland pranoi se ShBA-të dhe BE janë së bashku në këtë proces dhe se Marrëveshja e dy qershorit dhe bisedimet e ndërmjetësuara nga komisioneri Han kanë mbështetjen e plotë të Uashingtonit.
“Ne mbështesim fuqishëm pakon e Marrëveshjes që filloi më dy qershor. Kanë mbetur edhe disa çështje për t’u përfunduar. Komisioneri Han do të jetë këtu nesër. Ne i mbështesim fuqishëm bisedimet e nesërme. Unë e kalova një ditë duke biseduar me aktorët kyç, përfshi edhe kryeministrin, se si t’i tejkalojmë hendeqet. Kështu që kjo marrëveshje mund të arrihet dhe shteti mund të ecë përpara duke ndërmarrë veprime në harmoni me deklarimet e bëra atje, për të punuar në fushën e medias, në fushën e gjyqësorit, duke adresuar shqetësimet, duke iu qasur fushës zgjedhore, dhe të ecni drejt një pranvere”- deklaroi ndihmëssekretarja në Departamentin e Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euro-Azisë, Viktoria Nuland.
Nuland la të kuptohet se ShBA-të mbeten partner strategjik të Maqedonisë vetëm nëse vendi e mban përcaktimin euroatlantik.
Ajo garantoi mbështetjen e ShBA-ve për anëtarësimin e vendit në NATO dhe inkurajoi qeverinë për dialog me palën greke për tejkalimin e kontestit rreth emrit.
“Kjo, siç e dini, kërkon negociata komplekse me qeverinë e re në Greqi rreth çështjes së emrit me ndërmjetësimin e negociatorit të KB-së, Nimic. Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë avokatinë tonë për një rezolutë të mirë, sa më shpejtë që të jetë e mundur, që ju të arrini marrëveshje për ta shty vendin përpara, duke zgjidhur krizën politike. Bazuar në konsultimet që pata sot këtu me të gjithë liderët, përfshi edhe z. Zaev dhe kryeministrin, unë besoj se në Maqedoni ekziston vullneti politik për ta zgjidhur këtë problem”- tha ndihmëssekretarja në Departamentin e Shtetit për Çështje të Evropës dhe Evro-Azisë, Viktoria Nuland.
Ajo i rikujtoi kryeministrit, Nikolla Gruevski, angazhim dhe investimet që ShBA-të kanë bërë për një Maqedoni euroatlantike.
“ShBA-të janë mik dhe partner i Maqedonisë për 20 vjet. Dhe, për 20 vjet, pavarësisht kush është në pushtet, këtu, ne e kemi mbështetur fuqishëm dhe e kemi inkurajuar, një Maqedoni të unifikuar, demokratike, të pastër, duke u integruar vazhdimisht në sistemin euroatlantik”- theksoi Nuland.
Zgjidhja e krizës politike, por edhe zgjidhja e kontestit rreth emrit duhet të ndodhin sa më shpejtë, theksoi Nuland, që politika dhe institucionet të mund t’u rikthehen çështjeve të qytetarëve, t’i rikthehemi rritjes ekonomike dhe investimeve.
SHPËTIM NUREDINI
