Maqedoni

Kumanovë, sërish rikthehet mungesa e ujit?!

13.07.2015 17:45

Lojërat politike rreth furnizimit me ujë ndërmjet ndërmarrjeve simotra “Ujësjellësi” dhe “Fusha e Kumanovës dhe Likovës” në Kumanovë...

Lojërat politike rreth furnizimit me ujë ndërmjet ndërmarrjeve simotra “Ujësjellësi” dhe “Fusha e Kumanovës dhe Likovës” në Kumanovë sërish janë rikthyer në këtë qytet gjatë kësaj vere, e sidomos gjatë muajit të Ramazanit, akuzojnë qytetarë të shumtë nga fshati Çerkez dhe zonat tjera të larta.
 
Interesant është se me të vërtetë me ujin bëhet politikë, këtë e pohojnë edhe vetë udhëheqësit e këtyre dy ndërmarrjeve duke akuzuar njëra-tjetrën.
 
Goran Stojkovski, drejtor i NP “Ujësjellësi”, akuzon ndërmarrjen tjetër duke thënë se: “Ekonomia e ujërave po bën politikë duke mbyllur ventilat dhe duke i lënë qytetarët edhe të Çerkezit, por edhe të vendbanimeve tjera, pa ujë edhe atë pikërisht gjatë muajit të Ramazanit, si dhe gjatë vapës tropikale.”
 
Nga ana tjetër, Emërlla Ukshini, kryeshef i NP “Fusha e Kumanovës dhe Likovës”, akuzon “Ujësjellësin” se “pikërisht kjo ndërmarrje me mospagesën e borxheve ka bërë që ne të mos mundemi t’i mënjanojmë defektet e shumta në rrjet”.
 
Madje, ai u bëri apel qytetarëve shqiptarë që të mos paguajnë taksat për ujë, pasi që edhe ashtu lihen shpesh pa ujë. 
 
Derisa vazhdojnë akuzat dhe kundërakuzat midis dy ndërmarrjeve simotra, praktikë tashmë disa vjeçare, qytetarët janë viktimë e pafajshme, duke mbetur pa ujë me ditë të tëra. 
 
NEXHAT AQIFI