Një muaj paraburgim për të arrestuarit te liqeni i Badovcit
Gjykata Themelore në Prishtinë u ka caktuar një muaj paraburgim të dyshuarve për terrorizëm, të arrestuar më 11 korrik të këtij viti te liqeni i Badovcit, që furnizon Prishtinën me ujë për pije...

Në komunikatën e lëshuar nga gjykata thuhet se Gjykata Themelore në Prishtinë, me rastin e vendosjes sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës për caktimin e masës së sigurisë ndaj tani të pandehurve: Besnik Latifit, Enis Latifit, Milazim Haxhiajt, Gazmend Halitit dhe Fehmi Musajit, pas mbajtjes së seancës dëgjimore më 12 korrik të këtij viti, më 13 korrik vendosi që të caktojë paraburgimin në kohëzgjatje prej një muaji.
Masa e paraburgimit ndaj të pandehurve të lartpërmendur është caktuar për arsye se ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.
Gjykata i pranon si të bazuara pretendimet e prokurorisë se sikur tani të pandehurit të gjendeshin në liri, mund të ndikojnë në rrjedha të procedurës penale duke asgjësuar, ndryshuar apo falsifikuar provat e veprës penale, apo se mund të ndikojnë te dëshmitarët të cilët akoma nuk janë dëgjuar dhe masat tjera të sigurisë nuk do të ishin adekuate.
Ankesa kundër vendimit për caktim të paraburgimit është e lejuar, por nuk e shtyn ekzekutimin, kështu që të pandehurit do të mbahen në paraburgim deri në një vendim tjetër.
