Maqedoni

Takimi Jolevski – Farkash, lavdërohet puna e ushtarëve të ARM-së

13.07.2015 18:58

Maqedonia është e gatshme të marrë vendin e merituar si anëtare e plotë e NATO-s, ndërsa qëllim strategjik i Maqedonisë mbetet anëtarësimi në Aleancë dhe në BE...

Kështu është shprehur ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë pas takimit të sotëm me ndihmëssekretarin amerikan të mbrojtjes, Evelin Farkash.

Sipas ministrit Jolevski, proceset reformuese po zhvillohen me tempo të veçantë dhe me këtë po ndikohet mbi zhvillimin e kapaciteteve në Armatën e Maqedonisë.

Dëshmi e kësaj është planifikimi për modernizimin e Armatës dhe përforcim i mëtutjeshëm i trajnimeve të pjesëtarëve të Armatës.

Zëvendësndihmëssekretari amerikan i Mbrojtjes me ketë rast ka potencuar se ShBA-të e mbështesin Maqedoninë për procesin e marrjes së anëtarësimit të plotë në Aleancë dhe se janë shumë mirënjohës për pjesëmarrjen e trupave të ARM-së në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare.

Sipas tij, paqeruajtësit e ARM-së janë ndër të dalluarit në Afganistan, “kur mendoj për misionin atje ata janë të parët që me kujtohen”.

Bëhet fjalë për ushtarë profesionistë me kualitete të zhvilluara lartë, ka thënë Farkash.  

Ministri Jolevski dhe zëvendësndihmësi amerikan, Farkash, janë dakorduar se marrëdhëniet mbrojtëse bilaterale midis dy vendeve janë relativisht të larta, ndërsa në të ardhmen ky bashkëpunim duhet të zhvillohet nëpërmjet mundësive inovative. 

BESIM ABDULLAI