Anketë IRI: qytetarët, të shqetësuar nga kriza politike
Qytetarët e Maqedonisë ndjekin me shqetësim krizën politike dhe të sigurisë në vend.,,

Kështu rezulton në një anketë të realizuar nga Instituti Ndërkombëtar Republikan, IRI, ku qytetarët shprehen të brengosur për stabilitetin politik dhe ekonomik të vendit.
Në anketë 48% e qytetarëve kanë vlerësuar se Maqedonia është duke ecur në drejtimin e gabuar, një rritje prej 9 për qind nga anketa e fundit e IRI, të realizuar në dhjetor të vitit 2014.
Po ashtu, 61% e qytetarëve përshkruajnë situatën aktuale politike si “të tensionuar dhe të pasigurt” dhe 58% deklarojnë se Maqedonia është më pak stabile se sa një vit më parë.
Po ashtu, liria e të shprehurit mbetet shqetësim për shumicën e qytetarëve të Maqedonisë. Më shumë se gjysma e të anketuarve, apo 55 për qind, mendojnë se liria e të shprehurit dhe të folurit nuk ekziston në vend.
Nga ana tjetër, 67 % e qytetarëve besojnë se kriza aktuale politike dëmton përpjekjet e Maqedonisë për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian.
Ndërsa përkrahja për integrimin e vendit në BE është 80 dhe në NATO 83 për qind.
