Maqedoni
Nga një shtatori shfuqizohet Ligji për lustrim
13.07.2015 20:42
Grupet e deputetëve të BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së sot në Kuvend shtruan Propozim ligj për shfuqizimin e Ligjit...

Grupet e deputetëve të BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së sot në Kuvend shtruan Propozim ligj për shfuqizimin e Ligjit për përcaktimin e kushtit për kufizimin e zbatimit të funksionit publik, qasjen e dokumenteve dhe publikimin e bashkëpunimit me organet e sigurisë shtetërore.
Me këtë ligj parashihet Ligji për lustrim të shfuqizohet më 1 shtator të vitit 2015.
Për vendimet të cilat deri atëherë do t'i sjellë Komisioni do të vazhdojnë të zbatohen dispozitat e Ligjit deri në përfundimin e tyre përfundimtar.
"Nga 1 shtatori i vitit 2015, Komisioni për verifikimin e fakteve nuk ka mandat për ngritjen e procedurave të reja në pajtim me Ligjin për përcaktimin e kushtit për kufizimin për zbatimin e funksionit publik, qasjen deri te dokumentet dhe publikimin e bashkëpunimit me organet sigurisë shtetërore. Ndalojnë të gjitha procedurat e filluara për të cilat deri më 1 shtator 2015 nuk janë sjellë vendime nga Komisioni për verifikimin e fakteve", qëndron në nenin 2 të Propozim-ligjit.
Mandati i Komisionit për lustrim ndalon me përfundimin final të procedurave në pajtim me këtë ligj.
Dokumentacionin e këtij komisioni i marrë gjatë realizimit të kompetencave të veta Komisioni e ka për obligim t'ia dorëzojë Arkivit shtetëror.
Të punësuarit në shërbimin profesional të Komisionit do të ndërmerren nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës.
Me propozimin, personit të cilit me vendim përfundimtar të Komisionit për lustrim i është përcaktuar bashkëpunim me organet e sigurisë shtetërore, e plotëson kushtin me të cilin i kufizohet e drejta e zbatimit të funksionit publik nga dita e vendimit përfundimtar.
Komisioni për verifikimin e fakteve i cili e filloi dhe e udhëhoqi procesin e lustrimit në Maqedoni deri më tani ka përcaktuar bashkëpunim me organet e sigurisë shtetërore të mbi 300 personave, ndërsa ka verifikuar mbi 30 mijë persona bartës të ndonjë funksioni publik, veprimtarie publike apo me autorizime publike, bartës aktual të këtyre funksioneve, si dhe kandidatë për këto funksione.
Në mesin e të lustruarve ka edhe profesorë, shkrimtarë, ish-ministra, funksionarë politik, personalitete publike./mia
