Kosova dhe Shqipëria për shërbime të përbashkëta sociale
Ministri i jashtëm, Hashim Thaçi, ka pritur sot ministrin e ri të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë së Shqipërisë, Blendi Klosin...

Thaçi dhe Klosi kanë diskutuar për projektet e përbashkëta në shërbimet sociale, për tregun e punës dhe ofrimin e pakove komplementare në fusha me interes të ndërsjellë përbashkët.
“Kosova dhe Shqipëria nuk kanë kurrfarë pengese në bashkëpunim, por këtë duhet ta thellojmë edhe më shumë në rrafshin praktik, sepse vullneti dhe gatishmëria nuk ka munguar asnjëherë”, ka thënë Thaçi.
Klosi theksoi se të dyja vendet kanë nevojë për agjenda të përbashkëta për skemat sociale.
“Është e nevojshme që të praktikojmë shërbime dhe skema të njëjta aty ku mundemi, si për të moshuar, ashtu edhe për tregun e punës, duke u ofruar trajnime të interesuarve, në përputhje me nevojat e bizneseve”, ka deklaruar Klosi.
Thaçi i ka ofruar përkrahjen e tij ministrit nga Shqipëria për përgatitjen dhe zbatimin e çdo projekti me interes të përbashkët dhe ka shprehur gatishmërinë që të lehtësojë dhe përshpejtojë implementimin e tyre. (Klan Kosova).
