Botë
Austri, arrihet marrëveshja historike bërthamore me Iranin
14.07.2015 14:09
Diplomatët iranianë dhe ata perëndimorë thonë se Irani dhe gjashtë fuqitë e mëdha kanë arritur një marrëveshje historike bërthamore...

Diplomatët perëndimorë vlerësojnë se pengesat përfundimtare janë zgjidhur. Ndërsa presidenti amerikan, Barak Obama, tha se me këtë marrëveshje “ne e kemi ndalur përhapjen e armatimit atomik” në Lindjen e Mesme.
“Marrëveshja historike me Iranin nuk është ndërtuar në bazë të besimit, por është ndërtuar mbi verifikim dhe e njëjta e ka mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar. Largimi nga kjo marrëveshje do të ishte papërgjegjësi, do të kisha përdorur veto në çfarëdo legjislacioni në Shtetet e Bashkuara, që do ta parandalonte zbatimin e marrëveshjes atomike me Iranin”- deklaroi presidenti i ShBA-ve, Barak Obama.
Obama po ashtu u kërcënua me investim të vetos në çdo propozim nga kongresi që do ta bllokonte zbatimin e marrëveshjes. Ai vlerësoi se pa marrëveshje "më të mëdha janë gjasat për luftë të re" në Lindjen e Afërt.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, e ka quajtur këtë marrëveshje si "një gabim i keq, me përmasa historike.
Ndërsa presidenti iranian, Hasan Rohani, tha se marrëveshja duhet respektuar nga të dyja palët.
“Irani nuk ka synuar asnjëherë që të bëhet me armë bërthamore. Dita e sotme e shënon fillimin e bashkëpunimit të vendit tonë me botën. Irani do ta respektojë marrëveshjen nëse edhe palët e tjera i përmbahen asaj, ndërsa Izraeli kot ka tentuar ta pengojë lidhjen e marrëveshjes”- tha presidenti i Iranit, Hasan Rohan.
Negociatorët kanë zhvilluar bisedime në kryeqytetin austriak për 18 ditë për të arritur një marrëveshje sipas së cilës Teherani do të frenojë programin e tij bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.
Vendet perëndimore e akuzojnë Iranin se po kërkon të ndërtojë armë bërthamore, akuzë të cilën Teherani e mohon. BE, ShBA-ja dhe Rusia e përshëndetën vendimin e arritur sot në Vjenë të Austrisë.
Irani do të mënjanojë dy të tretat nga centrifugat e tyre të instaluara dhe 98 për qind nga rezervat e tyre të uraniumit.
Në zëvendësim për atë, për Iranin do të jetë etapore zbutja e sanksioneve, derisa plotëson dispozitat nga marrëveshja.
FARIJE DAUTI-BAKIJU
