MASh përzgjedh shkollat më të sigurta dhe më të pastra
Siguria dhe pastërtia janë komponentët kryesorë për të funksionuar një shkollë si e suksesshme, prandaj kompetentët duhet të punojnë në ngritjen e vetëdijes së nxënësve për mirëmbajtjen e ambienteve shkollore...

Kjo u konstatua me rastin e ndarjes së mirënjohjeve nga ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi, dhe ambasadorja e Misionit të OSBE-së, Marijan Berec, shkollave që dolën fituese nga kjo garë. Në vendin e parë u radhit Shkolla Fillore “Vllado Kantargjiev” nga Gjevgjelia, ndërsa nga shkollat e mesme u përzgjodhën shkollat “Vllado Tasevski” dhe “Nikolla Karev”.
Është obligim i çdo shkolle të sigurojë objektin e saj dhe është për t’u përshëndetur fakti që kohëve të fundit ka shumë pak incidente.
“Më gëzon fakti që kohën e fundit ka më pak ose aspak incidente mes nxënësve dhe shpresoj që kjo do vazhdojë edhe më tutje”- deklaroi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.
Ministri Ademi u prononcua edhe për regjistrimin e nxënësve në afatin e parë, të cilin e konsideron si të suksesshëm. Sipas ministrit Ademi, numri i i nxënësve që janë regjistruar në arsimin e mesëm profesional është më i lartë karshi vitit të kaluar. Për afatin e gushtit MASh-i do të ulë numrin e pikëve për regjistrim.
“Kemi lejuar numrin e pikëve për gjimnazet dhe medicinën për të gjitha komunat jashtë qytetit të Shkupit, por edhe në kuadër të Qytetit të Shkupit janë ulur pikët për gjimnazet në 50 pikë dhe medicinën në 60 pikë... MASh nuk mund ta obligojë asnjë në cilën gjuhë do të studiojë dhe nëpërmjet kritereve mundohemi t’i orientojmë nxënësit në drejtimet e duhura”- tha Ademi.
Sipas Ademit, pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të maturës dhe testimit ekstern do të ftohen të gjitha palët dhe do të punohet për përpilimin e konceptit të ri deri në muajin shtator.
Ndërsa sa i përket iniciativës së Plenumit të Profesorëve për vlerësimin e kushtetueshmërisë së dënimeve të arsimtarëve, Ademi shton se dënimet janë tërhequr dhe se Ministria do mbrojë qëndrimet e saj para Gjykatës Kushtetuese, por edhe do respektojë vendimin e shqiptuar. (Flutura Latifi, TVM2)
