Martin Shulz fjalim në Kuvendin e Shqipërisë, rekomandon reforma në gjyqësi
Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Shulz, ka mbajtur një fjalim në Kuvendin e Shqipërisë...

Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Shulz, ka mbajtur një fjalim në Kuvendin e Shqipërisë, me ç’rast ka vlerësuar rezultatet pozitive të arritura deri tani nga Qeveria shqiptare, por ka rekomanduar reforma në drejtësi.
“I bëj thirrje klasës politike në Shqipëri që të veprojë në përputhje me 13 pikat e dialogut të nivelit të lartë sa i përket drejtësisë, për një gjyqësor efikas që mban përgjegjësi për vendimet e marra. Institucionet e pavarura janë çelësi drejt një të ardhmeje të drejtë”- deklaroi presidenti i PE-së, Martin Schulz.
Parlamenti Evropian mbështet të gjithë ata që ndjekin rrugën e demokracisë dhe të së drejtës, e që e shohin pajtimin si çelësin e sigurisë së Ballkanit perëndimor, ka shtuar Shulz.
“Vizita e kryeministrit Rama në Beograd dhe e kryeministrit Vuçiç në Tiranë janë tregues i ripajtimit. Marrëveshja e transportit Shqipëri-Serbi ishte shumë pozitive. Shpresoj që të ketë edhe të tjera”- tha Shulz.
Shulz po ashtu ka vlerësuar “humanizmin e treguar nga shqiptarët që shpëtuan hebrenjtë” në Luftën e Dytë Botërore, duke i shprehur mirënjohjen dhe respektin më të thellë popullit shqiptar për këtë.(Gyltene Sinani, TVM2)
