Maqedoni
VMRO-DPMNE e vetme do të mbikëqyr punën e DSK-së
14.07.2015 17:15
Deputetët e BDI-së dhe deputetja e vetme e PLD-së braktisën punën e Komisionit për Mbikëqyrje mbi punën e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim dhe Agjencisë për Zbulim...

Shkas për lëshimin e punimeve të këtij komisioni që në mbledhjen e dytë, është mosdhënia e certifikatës së sigurisë nga Drejtoria për Informata të Klasifikuara për deputetin e BDI-së, Zulfi Adilin.
Sipas deputetëve të BDI-së, edhe pse janë tejkaluar të gjitha afatet ligjore, Drejtoria jo që nuk i ka lëshuar Adilit certifikatë, por nuk i është dhënë as përgjigje me shkrim nëse kërkesa e tij është refuzuar ose mund t’i lëshohet certifikatë, por i duhet më shumë kohë, siç është paraparë me ligj.
“Kërkoj nga ju si kryesues dhe të gjithë anëtarët e komisionit që kjo mbledhje të ndërpritet deri në afatin kur ky komision nëpërmjet kryetarit të parlamentit të kërkojë nga Drejtoria për Informacione të Klasifikuara pse anëtarët e këtij komisioni nuk furnizohen në afatin ligjor të caktuar me certifikatë të sigurisë”- deklaroi Zulfi Adili nga BDI.
Sipas deputetit, Rafis Aliti, është e palejueshme që edhe pas një viti deputeti të mos ketë përgjigje me shkrim për mosmarrjen e certifikatës, ndërsa anëtarët e komisionit të njëjtë të mos kenë status të barabartë.
“Nuk ka qenë kërkesa e Zylfi Adilit që të jetë anëtar i këtij komisioni, por Zylfi Adili është propozuar nga grupi parlamentar i BDI-së. Dhe sinqerisht parashtroj pyetjen sa vite duhet të kalojnë që të jepet një përgjigje me shkrim nga organi përkatës”- tha Rafis Aliti nga BDI.
Sipas Alitit, Drejtoria për Informata të Klasifikuara ka pasur të njëjtën qasje edhe ndaj tij, edhe ndaj ish deputetit, Hisni Shaqit, edhe ndaj ish deputetit, Tahir Hanit, duke u pamundësuar kështu deputetëve shqiptarë që të ndjekin nga afër punën e DSK-së dhe punën e Agjencisë për Zbulim.
Ndërkaq, deputetja, Roza Topuzova Karevska, thotë se kjo qasje nuk është vetëm në baza etnike, por DSK e vendos veten mbi të gjitha institucionet dhe dëshiron të punojë pa asnjë kontroll.
“Mosdhënia e certifikatës për një kohë të gjatë për deputetë të caktuar e vë nën dyshim punën e DSK-së dhe nuk është patjetër të jepet certifikatë, por DSK ka për obligim që japë përgjigje me shkrim përse një deputeti të caktuar nuk i është dhënë certifikatë, që ai ta dijë përse nuk ka të drejtë të ketë qasje në informata të klasifikuara”- theksoi Roza Topuzova-Karevska nga PLD.
Edhe deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski, pajtohet se deputeti duhet të informohet se përse nuk ka marrë certifikatë, por, sipas tij, kjo nuk do të thotë se çdo deputet mund ta fitojë të drejtën për qasje në informata të klasifikuara.
“Asnjë nga deputetët, me automatizëm nuk mund të fitojë asgjë që nuk i takon, pavarësisht nëse është status, mandat, certifikatë ose qasje në informata të klasifikuara”- u shpreh Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.
Komisionit për Mbikëqyrje mbi punën e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim dhe Agjencisë për Zbulim vazhdoi punimet në mungesë të opozitës maqedonase, pa pjesëmarrjen e opozitës shqiptare dhe pa anëtarët e BDI-së.
Me pesë vota “për”, deputetët e VMRO-DPMNE-së morën vendim që të njoftojnë Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim për takimin e punës që do ta realizojnë në këtë institucion.
SHPËTIM NUREDINI
