Maqedoni

Kriza politike, Han takon ndaras liderët; Ahmeti: interesat e shtetit para atyre partiake

14.07.2015 18:17

Eurokomesari, Johanes Hahn, ka realizuar takime të njëpasnjëshme me liderët politik të vendit...

Hahn në takime të ndara dëgjoi qëndrimet e tyre në përpjekje për të gjetur zgjidhje finale për dalje nga kriza politike, duke u bazuar në marrëveshjen e dy qershorit.
 
Në orët e paradites eurokomesari në selinë e BE-së fillimisht bashkëbisedoi me liderët shqiptarë, Ali Ahmetin dhe Menduh Thaçin.
 
Takimet me liderët maqedonas i realizoi në rezidencën e BE-së në Përzhino.
 
Të parin priti liderin e LSDM-së, Zoran Zaev, ndërsa më pas në rezidencë erdhi edhe lideri VMRO–DPMNE-së, Nikolla Gruevskin. Pas takimeve të ndara u prononcua vetëm kreu i BDI-së, Ahmeti.
 
Ai thirri liderët politikë që të tejkalojnë veten dhe të vendosin interesat e shtetit para interesave partiake.
 
“Mendoj që momenti më i rëndësishëm sot për të gjitha partitë politike që ta tejkalojnë veten, të vendosin interesat shtetërore mbi ato partiake. Për mendimin tim deri më tani me sa unë kam pasur takime me të gjithë përfaqësuesit politikë, ka tek të gjithë gatishmëri për të dalë nga kjo situatë dhe ta fusim gjendjen në binarë për zgjidhje përfundimtare”- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
Në misionin e tij për tejkalim të krizës, Hahn u ndihmua edhe nga tre eurodeputetët, Ivo Vajgëll, Eduard Kukan dhe Riçard Houit, të cilët kohë më parë nisën procesin e negocimit midis liderëve politik të vendit.
 
Në përpjekje për gjetjen e zgjidhjes u kyçën edhe nikoqiri, ambasadori i BE-së, Aivo Orav, dhe ambasadori amerikan, Xhes Bejli. 
 
Ardhja e dytë e Hahn në Maqedoni vjen pas ngrirjes së bisedimeve nga lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, javën e kaluar me arsyetimin se nuk janë pranuar kërkesat e tij për formimin e qeverisë kalimtare pa Nikolla Gruevskin, e cila do t’i organizonte zgjedhjet.
 
Vizita e parë e Hahn në Shkup ishte më dy qershor. Atëherë nga takimi me liderët e vendit u arrit marrëveshje që Maqedonia të kalojë në një fazë transitore të reformave në disa fusha, që do të përmbyllej me mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më së voni deri në prill të 2016-ës.
 
MERAL ISMAILI