Arrihet marrëveshja për dalje nga kriza; Zgjedhje më 24 prill 2016, me qeveri kalimtare

15.07.2015 10:15

Liderët e katër partive politike, me ndërmjetësim të eurokomisarit për zgjerim Johanes Han , pas negociatave maratonë arritën më në fund në orët e para të mëngjesit, marrëveshje për dalje nga kriza politike në shtet...

Më 24 prill të vitit të ardhshëm do të mbahen zgjedhjet e   parakohshme parlamentare në Maqedoni.

Njëqind ditë para zgjedhjeve, VMRO-DPMNE do të nominojë kryeministër të përkohshëm, që do të jetë zgjidhje sistemore edhe për të gjitha zgjedhjet e ardhshme.

LSDM kthehet në Parlament më 1 shtator dhe do të propozojë ministër teknik të Punëve të Brendshme, ndërkaq do të zgjidhet edhe prokuror i ri publik. 

"Mund t'ju them se arritëm marrëveshjen e nënshkruar nga liderët e katër partive më të mëdha dhe jam i kënaqur nga e arritura", deklaroi Han pas takimit, duke shtuar se  liderët janë dakorduar për zgjedhje të parakohëshme parlamentare dhe se përqëndrimi mëtej do të jetë në implementimin e raportit të Pribesë dhe rekomandimeve të tjera të Komisionit Evropian.

"Kjo është ditë e shkëlqyeshme për vendin tuaj e hapi shumë gjërësisht derën e perspektivës tuaj euroatlantike", tha Han.

Sipas tij, ky është moment perfekt për Maqedoninë dhe bashkësia ndërkombëtare e ka njohur nevojën që t'i ndihmojë vendit, i cili është i gatshëm t'i realizojë reformat e nevojshme. "Për këtë është arritur pajtueshmëri sonte", tha eurokomisari.

Han paralajmëroi se javën e ardhshme në Bruksel do të mbahet takim i Këshillit të BE-së në të cilin do të shqyrtohen reformat e nevojshme, dialogu i nivelit të lartë do të vazhdojë në shtator, ndërsa pastaj do të pasojë edhe raporti për progresin e vendit.

"Marrëveshja e sotme do të japë mundësi për vazhdim të mëtejshëm të rekomandimit për fillim të negociatave", tha Han.