Gruevski për marrëveshjen: Negociatat e suksesshme, vazhdojmë punësimet
Kreu i VMRO-së Nikolla Gruevski, deklaroi se kriza politike në Maqedoni është zgjidhur, negociatat përfunduan me sukses me marrëveshje për zgjedhje dhe se ai është i kënaqur me marrëveshjen e arritur...

"Kriza politike në Maqedoni është zgjidhur, perspektivat evropiane të Republikës së Maqedonisë mbeten të hapura, ndërsa ekonomia lirohet nga prangat e imponuara nga kriza politike dhe do të vazhdojë të rritet, që do të thotë vende të reja të punës dhe investime të reja", tha Gruevski, duke i falënderuar të gjithë të cilët ndihmuan në tërë procesin, para së gjithash përfaqësuesit e BE-së, SHBA-së, tre eurodeputet dhe posaçërisht komisarin Han.
Në pajtim me marrëveshjen e arritur, si zgjidhje sistemore, prej tani e për të gjitha zgjedhjet e ardhshme parlamentare, 100 ditë para të gjitha zgjedhjve parlamentare Qeveria do të tërhiqet dhe do të formohet Qeveri për mbajtjen e zgjedhjeve.
Kjo do të thotë se VMRO-DPMNE do të nominojë kryeministër të përkohshëm për periudhë prej 100 ditëve, duke filluar prej 15 janarit të vitit 2016 deri në zgjedhje të cilat do të mbahen më 24 prill të vitit 2016.
"Në mënyrë që dikush të mos mund të ketë alibi dhe arsyetime për rezultate nga zgjedhjet, u dakorduam, që duke filluar prej 20 tetorit e deri në zgjedhjet, LSDM, në konsultim paraprak me VMRO-DPMNE dhe BDI të japë propozim për ministër teknik të Punëve të Brendshme që do të thotë personalitet i cili në asnjë mënyrë nuk lidhet me asnjë parti politike", deklaroi Gruevski.
Sipas tij, LSDM gjatë periudhës së kaluar dhe gjatë ditës së djeshme kanë bërë përpjekje maksimale që të mos ketë sukses marrëveshja e 2 qershorit dhe të mos ketë zgjedhje në prill.
"Udhërrëfyes në bisedimet e sotme ishte Maqedonia dhe populli i saj. Maqedonia na njeh mirë edhe ne edhe ata dhe do të zgjedhë me maturi dhe në pajtim me parimet dhe vlerat në të cilat besojmë. Jam i sigurt se më 24 prill populli më masovikisht deri më tani do të na e jape mbështetjen”, theksoi Gruevski.
