FMN kundër Eurozonës për Greqinë, Parlamenti grek diskuton reformat fillestare

15.07.2015 10:54

Fondi Monetar Ndërkombëtar kritikoi planin e shpëtimit që iu ofrua Greqisë nga udhëheqësit e Eurozonës...

Sipas FMN-së, borxhi i Greqisë është “shumë i paqëndrueshëm” dhe ky institucion sugjeron reduktimin e tij, një lëvizje të cilës kreditorët i bënë shumë qëndresë. Parlamenti grek duhet të miratojë 4 klauzola të legjislacionit deri sonte në mbrëmje. Masat përfshijnë rritje të taksave dhe shkurtim të pensioneve.

Greqia i detyrohet mbi 10 për qind të borxhit të saj FMN-së. Ajo tashmë ka kaluar dy afatet për shlyerjen e borxhit dhe është vendi i parë i BE-së që ka bërë një veprim të tillë. Ministrat e Financave të Eurozonës nuk i kanë reshtur përpjekjet për gjetjen e një mënyre për të ndihmuar Greqinë që t’i shlyejë Bankës Qendrore Evropiane këstin e ardhshëm të borxhit.

6 janë opsionet në diskutim për momentin, por secili prej tyre ka problem. Greqisë i nevojiten 3.5 miliardë euro për të siguruar huanë nga BQE-ja. Para se të lëvrohet kjo kredi, Athina duhet t’i shlyejë FMN-së detyrimet prej mbi 2 miliardë eurosh.

Në total, sipas përllogaritjeve të ekspertëve, vendit i duhen gjithsej 7 miliardë euro në korrik dhe 5 miliardë të tjera deri në mes të gushtit. Ndër opsionet në diskutim janë kreditë bilaterale për Greqinë, disbursimi i fitimeve që realizoi Banka Qendrore Evropiane nga bonot greke të thesarit që i bleu gjatë krizës dhe lëvrimi i fondeve të një kredie të vogël të krijuar në vitin 2010 për të ndihmuar vendet në krizë. Por, për t’u lëvruar kjo kredi nevojitet konsensusi i të 28 qeverive të Bashkimit Evropian, pasi fondi prej 13.2 miliardë eurosh ka dalë nga buxheti i BE-së.

Britania kundërshton  përdorimin e kësaj shume dhe BE nuk do t’i bëjë presion Londrës që të kontribuojë për të nxjerrë Greqinë nga kriza. Në këtë klimë politike dhe ekonomike, liderët evropianë po tregohen të kujdesshëm të mos acarojnë më tej skepticizmin ndaj bllokut në ekonominë e dytë më të madhe të BE-së. (Leunora Kaliqi, TVM2)