Kotzias viziton Prishtinën, njohja e Kosovës nga Greqia ende duhet të presë
Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë deklaroi në Prishtinë se Athina zyrtare është duke kërkuar hapësirën dhe kohën e nevojshme për të zyrtarizuar njohjen e pavarësisë së Kosovës...

Pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafën, dhe ministrin e Jashtëm, Hashim Thaçin, kryediplomati grek tha se e ka ftuar homologun e tij në Athinë për të hapur Zyrën e Kosovës.
“Po e mbështesim Kosovën, jemi duke bërë më të mirën për Kosovën, që të bëhet anëtare e INTERPOL-it dhe UNESCO-s dhe do ta mbështesim këtë në të gjitha mënyrat. Po ashtu po e mbështesim që të krijojmë marrëdhënie politike mes BE-së dhe Kosovës, dhe kurdo që nevojitet i ofrojmë Kosovës ekspertizën dhe kapacitetet tona, ashtu siç i quaj unë, përvojën tonë sa i përket bashkëpunimit si vendi me i vjetër i BE-së në rajon. Jemi të hapur. Ndërsa, sa i përket çështjes së njohjes është se duhet t’i kemi parasysh dy kritere sa i përket kësaj çështje, njëri prej tyre është nevojat e gjithë rajonit dhe e dyta është interesi ynë kombëtar evropian. Në të ardhmen duhet të shohim se çfarë lloj aplikimi do të gjejmë për këto dy kritere”- deklaroi ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikolaos Kotzias.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se vizita e parë e një kryediplomati grek në Prishtinë është konfirmim i forcimit të bashkëpunimit mes dy vendeve, ndërsa paralajmëroi se së shpejtoi do të vizitojë Greqinë.
“Ne diskutuam me ministrin për bashkëpunimin tonë bilateral, që do të afirmohet dhe do të avancohet çdoherë e më tepër për rolin pozitiv dhe të rëndësishëm që Greqia ka luajtur në rajon, për paqen, për stabilitetin, për bashkëpunimin mes vendeve, por edhe për perspektivën euroatlantike. Do të kemi vizita edhe në Athinë, por edhe në Prishtinë, dhe e theksova do të afirmojmë institucionalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Greqisë”- tha ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
Thaçi tha se vendet e rajonit të Ballkanit, pavarësisht të kaluarës së errët që kanë pasur mes vete, tani po bëjnë garë se kush më parë të plotësojë standardet dhe të bëhet pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian. (Ersan Pajaziti, TVM2)
