Zgjedhjet më 24 prill 2016, me qeveri teknike; Hahn: Hapët rrugën e perspektivës drejt BE-së

15.07.2015 15:15

Pas 12 orëve bisedime maratone në rezidencën e Bashkimit Evropian, Nikolla Gruevski, Zoran Zaev, Ali Ahmeti dhe Mendu Thaçi vendosën nënshkrimin e tyre ne dokumentin e emërtuar edhe si gjysmë protokoll ndaj marrëveshjes së dy qershorit...

Marrëveshja parasheh që qeveria aktuale të japë dorëheqjen dhe e reja të përurohet më 15 janar, gjegjësisht njëqind ditë para zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen më 24 prill 2016.

Liderët e partive politike kanë rënë dakord që kryeministri i qeverisë të nominohet nga VMRO-DPMNE. Sipas marrëveshjes, nga 20 tetori i këtij viti, LSDM-ja do të ketë ministra të Punëve të Brendshme dhe të Punës dhe Çështjeve Sociale, që do të emërohen në konsultim me VMRO-DPMNE-në dhe BDI-në. Në këtë datë do të përcaktohen edhe zëvendësministrat me të drejtë vetoje në Ministrinë e Financave, Bujqësisë dhe Ministrinë e Shoqërisë Informatike. VMRO-DPMNE, megjithatë, do të ketë zëvendësministrat në ministritë që do t’i menaxhojë LDSM-ja.

Në orët e mëngjesit gjithashtu u pajtuan që nga 1 shtatori opozita të kthehet në kuvend. Ndërsa deri më 15 shtator, sipas një marrëveshjeje ndërmjet palëve, do të emërohet prokuror i ri, i cili do të ketë autonomi të plotë në kryerjen e hetimeve në bisedimet që rezultojnë nga përgjimi i komunikimeve.

Liderët u dakorduan për qeveri e cila do t’i realizojë zgjedhjet e parakohshme. Kjo është një ditë e shkëlqyer për vendin tuaj, që e hapi derën e perspektivës euroatlantike, tha komisionari, Johanes Han.

“Ky është momenti i përsosur për Maqedoninë dhe komuniteti ndërkombëtar e ka njohur nevojën për të ndihmuar vendin, i cili është i gatshëm për të përmbushur reformat e nevojshme. Marrëveshja e  sotme do të japë një mundësi për zgjerimin e mëtejshëm të rekomandimit për fillimin e negociatave. Kjo duhet të ndihmojë që disa vende anëtare të cilat kanë kundërshtime dhe bllokojnë hapjen e bisedimeve, të binden që të hapin derën për perspektivën evropiane të vendit"- deklaroi eurokomisari për zgjerim i BE-së, Johanes Han. (Sanije Kasami, TVM2)