VMRO dhe LSDM të kënaqur me pikat e arritura; Zaev për “Monstrën”: U kemi dhënë përgjigje familjarëve

15.07.2015 15:29

Marrëveshja më në fund u arrit dhe të gjithë janë të kënaqur edhe pse kërkesat e asnjërës palë nuk janë të pranuara plotësisht...

Gjithsesi, të dyja palët besojnë se do t’i fitojnë zgjedhjet e parakohshme.

"Në mënyrë që dikush të mos mund të ketë alibi dhe arsyetime për rezultate nga zgjedhjet, u dakorduam që duke filluar prej 20 tetorit e deri në zgjedhjet, LSDM, në konsultim paraprak me VMRO-DPMNE-në dhe BDI-në, të japë propozim për ministër teknik të Punëve të Brendshme, që do të thotë personalitet i cili në asnjë mënyrë nuk lidhet me asnjë parti politike. Që të mos kenë arsyetime dhe të rritet besimi në një atmosferë skajshmërish të politizuar, u dakorduam që deri më 15 shtator të këtij viti të zgjidhet prokuror i ri publik, i cili do t'i zhvillojë hetimet rreth komunikimeve të përgjuara, i cili duhet të zgjidhet në pajtim me të gjitha katër partitë politike"- deklaroi lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, thotë se prokurori special do të zbatojë hetim për përmbajtjet, dëshmitë dhe argumentet nga bisedat e përgjuara telefonike. Sipas tij, në rast nevoje do të jenë transparent edhe për rastin “Monstra”.

“Në pjesën e transparencës, gjithsesi për të ndihmuar proceset gjyqësore, ne qëndrojmë plotësisht në dispozicion. Edhe avokatët morën përgjigjen e të dënuarve me shqiptim të dënimit nga Gjykata Themelore, por edhe familjet e të vrarëve morën përgjigje nga ne. Më e rëndësishme është që do të kemi prokuror publik të pavarur, i cili do të mund të procesojë gjithçka që do të jetë në interes të së vërtetës për Maqedoninë”- tha Zaev.

Sipas komisionerit Han, marrëveshja e 15 korrikut hap të gjitha mundësitë për vazhdimësinë e rekomandimeve për negociata me Bashkimin Evropian. (Sanije Kasami, TVM2)