Maqedoni
Kryqi i Kuq dhe EVN-Maqedoni, përkujdesje për personat e moshuar
15.07.2015 16:04
Qendra ditore për persona të moshuar dhe qendra për dhënien e ndihmës në kushte shtëpiake përkujdeset për kategorinë e personave...

Qendra ditore për persona të moshuar dhe qendra për dhënien e ndihmës në kushte shtëpiake përkujdeset për kategorinë e personave që nuk kanë njerëz për t’u qëndruar pranë gjatë ditëve të pensionit.
Kjo është një iniciativë e Kryqit të Kuq, EVN-Maqedoni dhe Qytetit të Shkupit, përmes të cilit në bazë mujore vizitohen mbi 120 persona të moshuar në kushte shtëpiake nga ana e 4 infermiereve dhe 20 vullnetarëve, ndërsa mbi 300 personave u jepen shërbime edhe në Qendrën ditore për persona të moshuar.
“Qëllimi i vizitës sonë në Qendrën ditore për persona të moshuar është kontrolli i punës së qendrës. Bëhet fjalë për një rrëfim të suksesshëm në radhët e Kryqit të Kuq të Maqedonisë, për një shembull të suksesshëm, për një projekt ambicioz të realizimit të politikave të përgjegjësisë shoqërore që tashmë tre vite financohet nga EVN”- deklaroi sekretari gjeneral i Kryqit të Kuq, Sait Saiti.
“Personat e moshuar janë ata që kanë kontribuuar për vendin tonë dhe se fati i tyre nuk duhet lënë anash. EVN-Maqedoni ka 800 mijë shfrytëzues, mes të cilëve ka edhe persona të moshuar dhe mendoj që duhet ndihmuar kësaj shtrese sociale”- tha drejtori i përgjithshëm i EVN-Maqedoni nga Austria, Shtefan Peter.
Tek personat e moshuar janë realizuar 5.760 vizita nga ana e infermiereve, 2.880 vizita nga ana e vullnetarëve, 804 kontrolle mjekësore në Qendrën ditore për persona të moshuar dhe është siguruar terapi për mbi 60 persona të moshuar në kushte shtëpiake në bazë mujore.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
